Dyshimet për vdekjen e Epstein, vëllai i tij publikon fotot e autopsisë dhe kërkon hetim për vrasje

Nga Xh M
A+ A-
Rivendos

Nju Jork, 18 nëntor Zhurnal.mk – Vëllai i miliarderit të dënuar për abuzim seksual me të mitur, Jeffrey Epstein, ka publikuar një seri fotografish nga autopsia e tij, duke kërkuar gjithashtu zhvillimin e një “hetimi të vërtetë për vrasje”.

Veprimi i Mark Epstein vjen pas deklaratave të ekspertit mjeko-ligjor Michael Freeman, i cili pretendon se provat tregojnë se vdekja e Jeffrey Epstein në një qeli burgu në Manhattan, në vitin 2019, nuk ishte pasojë e vetëvrasjes me varje, siç është versioni zyrtar.

Sipas Freeman, pamjet tregojnë se dëmtimet në trupin e Epstein nuk mund të jenë shkaktuar nga vetëvrasja.

“Kjo lë të hapur vetëm versionin e vrasjes”, deklaroi ai.

“Duhet të pyesësh veten se kush e vrau dhe kush urdhëroi vrasjen e tij? Pse Departamenti i Drejtësisë po e mbulon këtë çështje? Kë po mbrojnë?”, u shpreh ai, duke shtuar se një organ i pavarur duhet të zhvillojë një hetim të vërtetë për vrasje.

Freeman, deklaron se ka studiuar për një vit gjetjet e autopsisë. Sipas tij, shenjat në qafë dëshmojnë se ka pasur një përleshje dhe, për rrjedhojë, bëhet fjalë për vrasje me mbytje.

Ai pretendon se shenjat e litarit në qafën e Epstein nuk janë të njëtrajtshme, siç ndodh në rastet e vetëvrasjes. Sipas tij, provat përputhen me versionin e një sulmi dhe të mbytjes nga pas, duke përdorur të njëjtin mjet me të cilin viktima u gjet i varur.

Freeman pretendon gjithashtu se ka vërejtur edhe shenja thonjsh mbi gjurmët e litarit.

Nga ana tjetër, në autopsinë fillestare, të kryer nga mjekja Kristin Roman, nuk u konstatuan shenja përleshjeje dhe as prova të një vrasjeje. Ajo përjashtoi mundësinë e mbytjes apo të dëmtimeve të tjera të dyshimta në trupin e tij.

“Ka ardhur koha që opinioni publik ta rishqyrtojë këtë çështje”, thekson Freeman për një nga çështjet më të bujshme, e cila duket se ende përmban shumë pikëpyetje dhe elemente të paqarta.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër