Shiroka-Pula: Të drejtat e njeriut nuk mjafton të garantohen me ligj, ato duhet të mbrohen

Nga D V
A+ A-
Rivendos

Prishtinë, 19 nëntor, Zhurnal.mk – Presidentja e Kosovës, Justina Shiroka-Pula, në shënimin e 26-vjetorit të themelimit të Institucionit të Avokatit të Popullit, ka thënë se të drejtat e njeriut nuk mjafton vetëm të garantohen me ligj, por duhet të mbrohen në çdo rast, raporton Ekonomia Online.
Ajo tha se Institucioni i Avokatit të Popullit ka rol të rëndësishëm në mbrojtjen e qytetarëve nga shkeljet e të drejtave të njeriut dhe veprimet e paligjshme të autoriteteve publike.

Shiroka-Pula theksoi se rekomandimet e këtij institucioni duhet të zbatohen, pasi përmes tyre rritet besimi i qytetarëve në institucione dhe forcohet sundimi i ligjit.

“Të drejtat e njeriut nuk mjafton vetëm të garantohen me ligj. Ato duhen të mbrohen në çdo rast. Çdo qytetar duhet ta dijë se kur i shkelën të drejtat, ka një institucion ku mund t’i drejtohet. Pikërisht këtë rol e ka institucioni i Avokatit të Popullit, të themeluar 26 vjet më parë. Si institucion i pavarur, ai mbron qytetarët nga shkeljet e të drejtave të njeriut dhe nga veprimet e paligjshme të autoriteteve publike. Në këtë drejtim, rekomandimet e Avokatit të Popullit kanë rëndësi të veçantë. Ato janë thirrje për veprim, përgjegjësi dhe përmirësim. Vlera e tyre matet me zbatimin dhe me ndryshimet konkrete që sjellin në jetën e qytetarëve. Zbatimi i tyre ndihmon në ndërtimin e besimit të qytetarëve në institucione dhe në forcimin e sundimit të ligjit. Ngase shteti dëshmon mbi të gjitha në mënyrën se si i trajton dhe i mbron qytetarët e tij. Forcimi i pavarësisë dhe i rolit të Avokatit të Popullit është thelbësor për demokracinë dhe për mbrojtjen e të drejtave të njeriut. Çdo qytetar ka të drejtë të ndihet i mbrojtur. Për këtë ekziston Avokati i Popullit. Por synimi ynë duhet të jetë që çdo qytetar t’i gëzojë të drejtat e tij pa pasur nevojë të kërkojë mbrojtjen e tyre. Institucionet duhet të funksionojnë me përgjegjësi në mënyrë që sa më pak qytetarë të kenë nevojë t’i drejtohen Avokatit të Popullit”, tha ajo.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër