Bozhinovska në ditën e dytë të P-TEC: Vazhdojnë diskutimet për sigurinë energjetike dhe partneritetet strategjike.

Nga D V
A+ A-
Rivendos

Shkup, 19 nëntor, Zhurnal.mk – Ministrja e energjisë, minierave dhe burimeve Minerale, Sanja Bozhinovska, sot vazhdon pjesëmarrjen në takimin e shtatë të Partneritetit për Bashkëpunim Transatlantik në Energjetikë (P-TEC) në Varshavë, ku në fokus janë siguria energjetike, diversifikimi i furnizimit dhe mbrojtja e infrastrukturës kritike. Dita e dytë e forumit i kushtohet bashkëpunimit ministror dhe çështjeve strategjike energjetike me interes të përbashkët për Evropën dhe SHBA-në.
Dje, Bozhinovska mori pjesë në panelin “Forcimi i sigurisë energjetike evropiane: qëndrueshmëria e infrastrukturës kritike dhe diversifikimi i furnizimit”, ku prezantoi hapat konkretë që po ndërmerr vendi për të siguruar rrugë alternative furnizimi dhe ndërlidhje më të madhe rajonale.

Ajo theksoi se, pas tri dekadash varësie nga një burim i vetëm i furnizimit me gaz natyror përmes Bullgarisë, Maqedonia e Veriut po zhvillon ndërlidhje të reja infrastrukturore përmes interkonektorëve me Greqinë dhe Serbinë. Interkonektori me
Greqinë pritet të përfundojë në qershor të vitit të ardhshëm dhe është i përgatitur edhe për transportin e hidrogjenit. Si hapa shtesë ajo përmendi punën për ndërlidhjen e rrjetit elektrik me Shqipërinë dhe vënien sërish në funksion të naftësjellësit me Greqinë, pas 12 vitesh pasiviteti.

Në diskutim u trajtua edhe mbrojtja e infrastrukturës kritike energjetike nga sulmet kibernetike dhe kërcënimet me dronë. Bozhinovska theksoi se nevojitet koordinim mes institucioneve, operatorëve dhe sektorit privat, si dhe një kuadër ligjor i përshtatshëm. Ajo foli edhe për sfidat në zinxhirët e furnizimit, duke përmendur se një investitor i interesuar për ndërtimin e një turbine me gaz kishte marrë si afat të parë të disponueshëm për dorëzim vitin 2032. Kjo dëshmon se projektet e reja energjetike duhet t’i marrin parasysh që në fazën e planifikimit ndryshimet teknologjike, sistemet rezervë dhe rreziqet e sigurisë.

Programi i sotëm vazhdon me diskutime ministrore për energjinë bërthamore, bashkëpunimin industrial transatlantik, sigurinë e furnizimit me gaz natyror të lëngshëm (LNG), financimin e infrastrukturës strategjike energjetike dhe mbrojtjen e saj. Pjesëmarrja e Maqedonisë së Veriut në P-TEC është një mundësi për thellimin e partneriteteve me SHBA-në dhe vendet evropiane, si dhe për forcimin e bashkëpunimit rajonal drejt një sistemi energjetik më të sigurt dhe më rezistent.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër