“One Stop Shop” me Shqipërinë, Mela: Pesë pikat kufitare pritet të funksionalizohen deri në Vitin e Ri

Nga D V
A+ A-
Rivendos

Shkup, 19 nëntor, Zhurnal.mk – Kryetari i Komunës së Dibrës dhe anëtari i Kuvendit qendror të VLEN-it, Fisnik Mela ka deklaruar se procesi për funksionalizimin e sistemit “One Stop Shop” me Shqipërinë ka hyrë në fazën përfundimtare, ndërsa pesë pikat kufitare pritet të bëhen funksionale deri në Vitin e Ri.

Në emisionin “Dialog te Lajmi”, Mela tha se ka qenë personalisht i angazhuar dhe ka lobuar për realizimin e kësaj nisme, duke qenë i përfshirë që nga hapat e parë të procesit, përfshirë komunikimin me Ministritë e Punëve të Brendshme të Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë.

Ai bëri të ditur se marrëveshja tashmë është miratuar nga të dyja qeveritë, është nënshkruar në qytetin e Peshkopisë dhe është ratifikuar në Kuvendet e të dy vendeve.

“Është bërë nënshkrimi në qytetin e Peshkopisë të Shqipërisë, u bë ratifikimi në Kuvendin e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut. Jemi në fazën finale dhe deri në Vitin e Ri praktikisht pesë pikat kufitare do të jenë funksionale”, deklaroi Mela.

Më tej, ai tregoi se gjatë ditës së djeshme kanë vizituar pikën kufitare të Qafë Thanës ku është informuar nga shërbimet kufitare për ecurinë e procesit dhe përgatitjet teknike.

Sipas Melës, fillimisht sistemi “One Stop Shop” do të nisë funksionimin në Qafë Thanë, për të vazhduar më pas në pikat kufitare të Bllatës, Xhepishtës dhe Shën Naumit.

Funksionalizimi i këtij sistemi synon të lehtësojë procedurat e kalimit kufitar dhe të shkurtojë kohën e pritjes për qytetarët që udhëtojnë ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër