Vonesat në çështjet hetimore e gjyqësore, Komisioni i Kuvendit në Gjykatën dhe Prokurorinë e Tiranës

Nga D V
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 20 nëntor, Zhurnal.mk – Deputetët e Komisionit për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale zhvilluan vizita pune në Gjykatën e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm dhe në Prokurorinë e Tiranës, në kuadër të mbikëqyrjes parlamentare për vitin 2026.

Vizitat kishin në fokus respektimin e procesit të rregullt ligjor, të drejtave dhe lirive të njeriut, si dhe vonesat në çështjet hetimore e gjyqësore dhe mundësitë për të reduktuar numrin e dosjeve të prapambetura.

Gjatë takimit me drejtuesit dhe stafin e Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, diskutimet u përqendruan te ecuria e çështjeve të prapambetura, ngarkesa e gjyqtarëve dhe plotësimi i organikës.

Deputetët u informuan se ngarkesa e punës në dhomën penale kishte shënuar rënie pas plotësimit të saj. Gjithashtu, u trajtuan nevojat për sekretarë gjyqësorë dhe ndihmës ligjorë, procesi i vlerësimit të gjyqtarëve dhe roli i drejtimit të gjykatës në organizimin e punës dhe rritjen e efikasitetit në trajtimin e çështjeve.

Ndërsa në Prokurorinë e Tiranës, vëmendja u përqendrua te ecuria e dosjeve të prapambetura, plotësimi i organikës dhe përdorimi i sistemit elektronik për menaxhimin e çështjeve dhe shpërndarjen e tyre me short.

Gjatë diskutimeve u evidentuan edhe vështirësitë në gjetjen e dosjeve gjatë transferimit të prokurorëve, bashkëpunimi me policinë për administrimin e dosjeve dhe referimin e çështjeve, si dhe përcaktimi i përparësive në trajtimin e tyre.

Një tjetër çështje e diskutuar ishte kapaciteti i prokurorisë për të përmbushur kërkesat e Kodit të Procedurës Penale.

Sipas Kuvendit, në të dyja institucionet u trajtuan plotësimi i organikës dhe organizimi i punës si faktorë që mund të ndikojnë në uljen e numrit të çështjeve të prapambetura dhe shmangien e vonesave në hetime e gjykime.

Informacioni i mbledhur gjatë vizitave do të shërbejë për vijimin e mbikëqyrjes parlamentare, zhvillimin e seancave dëgjimore publike, përgatitjen e raporteve dhe formulimin e rekomandimeve për institucionet përgjegjëse.

Kuvendi synon që përmes këtij procesi të kontribuojë në trajtimin e dy problematikave që, sipas tij, preokupojnë aktualisht qytetarët dhe vetë sistemin e drejtësisë: zvarritjen e proceseve dhe numrin e lartë të çështjeve të prapambetura.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër