Tiranë, 20 nëntor, Zhurnal.mk – Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës mbetet një nga portat kryesore hyrëse të vendit për udhëtarët ndërkombëtarë, duke luajtur një rol të rëndësishëm në lidhjet ajrore të Shqipërisë me destinacionet europiane dhe më gjerë.
Kryeministri Edi Rama, në një postim në rrjetet sociale deklaroi se ky aeroport ka regjistruar një tjetër shifër rekord të fluksit të udhëtarëve, me 300 mijë pasagjerë që kanë udhëtuar në 10 ditët e para të nëntorit.
Ndërsa ndau pamjet e punimeve që po kryhen për zgjerimin e infrastrukturës aeroportuale, me synim përballimin e një numri edhe më të madh udhëtarësh, Rama bëri të ditur se vetëm më 1 nëntor në aeroport u regjistruan 38 670 pasagjerë dhe 226 fluturime brenda një dite.
Paralelisht me rritjen e trafikut ajror, në aeroport po zhvillohet një proces intensiv punimesh për transformimin dhe zgjerimin e infrastrukturës, të cilat po realizohen gjatë natës, në mënyrë që të mos pengohet funksionimi i përditshëm i tij.
Rama tha se punimet kanë nisur më 9 nëntor dhe parashikohet të përfundojnë më 27 nëntor, pas 12 netësh pune intensive.
Në këtë projekt janë angazhuar 380 profesionistë, mes tyre 50 inxhinierë, si dhe një flotë prej 130 kamionësh, 12 ekskavatorësh dhe 30 betoniere. Ndërhyrja përfshin shtrimin e më shumë se 190 mijë metrave katrorë shtresë të re asfalti.
Përfundimi i punimeve më 27 nëntor synon krijimin e kapaciteteve të reja për përballimin e fluksit në rritje të pasagjerëve dhe për të mbështetur zgjerimin e aktivitetit të Aeroportit Ndërkombëtar të Tiranës në vitet e ardhshme.

