Shkup, 20 nëntor, Zhurnal.mk – Sigurimi i një fillimi të mirë, i arsimit cilësor dhe i një jete dinjitoze për çdo fëmijë është përgjegjësi e përbashkët e institucioneve, kompanive dhe e të gjithë shoqërisë, deklaroi ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska, në shënimin e Ditës Botërore të Fëmijës dhe fillimin e aktiviteteve për 80-vjetorin e themelimit të UNICEF-it, në ngjarjen “I biem ziles për fëmijët”, organizuar nga UNICEF-i dhe Bursa e Maqedonisë.
“E kemi privilegjin e përbashkët të jemi të rriturit në fëmijërinë e fëmijëve të sotëm. Kjo e bën përgjegjësinë tonë edhe më të madhe. Çdo fëmijë meriton mundësinë që të zhvillojë potencialin e tij të plotë, të rritet me kureshtje në vend të frikës dhe të mësojë në një mjedis që e inkurajon të pyesë, të hulumtojë dhe të besojë në aftësitë e veta”, theksoi ministrja.
Ministria e Arsimit dhe Shkencës investon vazhdimisht në përmirësimin e arsimit fillor, si përmes avancimit të infrastrukturës shkollore, ashtu edhe përmes krijimit të një përvoje më cilësore dhe më të pasur shkollore për nxënësit. “Me vendosjen e mësimit me një ndërrim dhe zgjerimin e qëndrimit të zgjatur në shkolla, fëmijëve po u sigurojmë më shumë kohë për mësim, shoqërim, sport, kreativitet dhe zhvillimin e interesave të tyre. Shkolla nuk është vetëm vend ku fëmijët fitojnë njohuri. Ajo është vendi ku i formësojmë ata si personalitete”, theksoi Janevska.
Këtu rol të veçantë kanë mësimdhënësit, të cilët krahas përcjelljes së njohurive, duhet t’i dëgjojnë nxënësit, t’i kuptojnë nevojat e tyre dhe t’i nxisin të mendojnë në mënyrë të pavarur.
“Çdo fëmijë meriton të ketë një shkollë të hapur për të. Kjo thuhet lehtë, por ka shumë sfida në realizimin e saj. Megjithatë, jemi këmbëngulës në përpjekjet për të siguruar përfshirje më cilësore, më shumë nxënës të regjistruar dhe më pak nxënës që braktisin shkollimin”, vuri në dukje Janevska.
Kur bëhet fjalë për fëmijët, asnjë institucion dhe asnjë faktor tjetër nuk mund të sigurojë i vetëm mirëqenien e tyre. “Arsimi nuk mund të funksionojë pa familjen, ndërsa familja ka nevojë për mbështetjen e komunitetit më të gjerë. Kujdesi për fëmijët që ka një shoqëri tregon sa e pjekur është ajo shoqëri në tërësi, sa është e aftë të mendojë afatgjatë për një të ardhme më të mirë për të gjithë. Prandaj e mbështes iniciativën ‘I biem ziles për fëmijët’, e cila dërgon një mesazh të rëndësishëm se të drejtat dhe nevojat e fëmijëve duhet të jenë pjesë e çdo vendimi shoqëror, përfshirë edhe vendimet e biznesit dhe investimeve”, përfundoi Janevska.
Dita Botërore e Fëmijës e këtij viti dhe jubileu i UNICEF-it shënohen nën thirrjen globale “Le të zgjedhim të ardhmen për fëmijët”, me theks të veçantë në investimin në vitet më të hershme të jetës dhe zgjerimin e qasjes së barabartë në mësimin e hershëm cilësor, arsimimin dhe kujdesin për çdo fëmijë.

