Dekada pritje për asfalt, banorët e Pagarushës detyrohen ta shtrojnë rrugën me paratë e tyre

Nga Xh M
A+ A-
Rivendos

Studeniçan, 22 nëntor Zhurnal.mk – Banorët e fshatit Pagarushë i takuam duke mbushur gropat e rrugës së fshatit. Mjetë të cilat i kanë ndarë nga buxheti familjarë në përpjekje për të përmirësuar kushtet e jetesës.

”Banorët e fshatit Pagarushë disa here protestuan për të kërkuar rregullimin e rrugës së fshatit megjithatë nuk u dëgjuan nga institucionet. Në mungesë të reagimit institucional, banorët me vetiniciativë filluan rregullimin e rrugës”, thotë Avni Tahiri – Gazetar.

“Ja vetë ne banorët kemi ndarë mjete të rregullojmë rrugën. Çdo ditë i thyejmë veturat nga gropat në rrugë. 35 vite nuk kemi asnjë ndihmë as nga komuna e as nga institucionet tjera, jemi të harruar nga i gjithë civilizimi”, tha Banor i fshatit Pagarushë.

“Rruga është dëmtuar shkaku i kamionëve që kalojnë nga gurorja dhe aq më nuk duron më pasi 35 vite është rruga dhe nuk zgjat më, siç është rregulluar nga Ish Jugosllavia dhe aq më as një lopate asfalt nuk është hedhur”, theksoi Banor i fshatit Pagarushë.

Mungesa e kushteve elementare për jetë, si rruga dhe ujësjellësi, ka bërë që shumë banorë të largohen nga fshati Pagarushë. Kështu thotë Aqim Bekirov, banor i këtij fshati, sipas të cilit, të tjerët po përpiqen të mbijetojnë me kushtet që kanë dhe duke rregulluar fshatin me vetiniciativë.

“Nga erdhi iniciativa për rregullimin e rrugës? E kemi patjetër se ndryshe duhet të shpërngulemi nga fshati. Të blejmë shtëpi në qytet nuk mundemi. Me kushtet që jemi këtu po luftojmë që të mbijetojmë, dalje tjetër nuk ka. Të rinjtë ikën nga fshati dhe jetojnë me qira në qytet për shkak të kushteve të vështira për jetë”, tha një tjetër banor i fshatit Pagarushë.

Banorët e fshatit Pagarushë shpresojnë që institucionet më në fund të dëgjojnë kërkesat e tyre dhe të ndërhyjnë për të mos e lënë fshatin të zbrazet tërësisht. Fshati Pagarushë, ndodhet rreth 25 kilometra larg Shkupit dhe bën pjesë në Komunën e Studeniçanit, ku jetojnë më pak se 200 banorë. Protesta e fundit për rregullimin e rrugës u mbajt më 26 shtator të këtij viti kur banorët bllokuan qarkullimin e kamionëve të rëndë që, sipas tyre, dëmtojnë rrugën e fshatit.

Nga Komuna e Studeniçanit, aso kohe kishin deklaruar se rregullimi i rrugës ishte paraparë si projekt prioritar, por pa dhënë një afat konkret për fillimin e punimeve.

artikuj të ndërlidhura