Shkup, 22 nëntor Zhurnal.mk – Një pjesëtar i Njësisë Speciale Antiterroriste “Tigrat” është lënduar gjatë drejtimit të një motoçiklete në kazermën “Ilinden”, pas së cilës me automjet të Ndihmës së Shpejtë është transportuar në Qendrën Klinike “Nënë Tereza”. Ngjarja është konfirmuar nga Ministria e Punëve të Brendshme.
Sipas MPB-së, lëndimi është raportuar më 19 nëntor, në orën 14:45. Në vendin e ngjarjes është kryer ekspertizë, ndërsa për rastin është njoftuar edhe prokurori publik.
“Në lidhje me informacionet për një pjesëtar të lënduar të njësisë, ju njoftojmë se më 19.11.2026, në orën 14:45, është raportuar se një pjesëtar i Njësisë Speciale Antiterroriste ‘Tigrat’ është lënduar gjatë drejtimit të motoçikletës në kazermën ‘Ilinden’. Ai është transportuar me automjet të Ndihmës së Shpejtë në Qendrën Klinike ‘Nënë Tereza’, për t’i ofruar ndihmën e nevojshme mjekësore. Është kryer ekspertizë në vendin e ngjarjes dhe është njoftuar prokurori publik”, thuhet në njoftimin e MPB-së.
Ministria nuk bën të ditur se çfarë lëndimesh ka pësuar pjesëtari i njësisë, e as rrethanat në të cilat ka ndodhur aksidenti.
Në reagimin e saj, MPB-ja ka hedhur poshtë edhe informacionet për ndikime partiake në organizimin dhe realizimin e trajnimeve për pjesëtarët e kësaj njësie.
“Ministria e Punëve të Brendshme i demanton informacionet për ndikime të pretenduara partiake në organizimin dhe realizimin e trajnimeve për Njësinë Speciale Antiterroriste ‘Tigrat’”, thuhet në reagimin e Ministrisë.
Nga atje theksojnë se trajnimet zhvillohen sipas procedurave të përcaktuara dhe standardeve të sigurisë, në përputhje me nevojat e njësive speciale policore.
“Ne i hedhim poshtë kategorikisht përpjekjet për politizimin e trajnimeve dhe ngjarjeve që lidhen me punën e njësive speciale policore. Të gjitha aktivitetet në kuadër të trajnimeve organizohen në përputhje me procedurat e përcaktuara, standardet e sigurisë dhe nevojat e njësive”, njoftojnë nga MPB-ja.
Ministria ka demantuar edhe pretendimet se rreth 30 pjesëtarë janë larguar nga Njësia Speciale Antiterroriste.
“Gjithashtu, demantojmë pretendimet se rreth 30 pjesëtarë janë larguar nga njësia”, thuhet në reagimin e MPB-së.
MPB-ja nuk sqaron nëse gjatë periudhës së fundit ka pasur largime individuale nga kjo njësi dhe as nuk ofron të dhëna për numrin e përgjithshëm të pjesëtarëve të saj.
Në fund të njoftimit, Ministria thekson se do të vazhdojë ta informojë publikun në mënyrë transparente dhe se nuk do të lejojë që informacionet e paverifikuara dhe konstruksionet politike të dëmtojnë besimin në institucion dhe profesionalizmin e punonjësve policorë.
Deri më tani nuk ka informacione të tjera zyrtare për gjendjen shëndetësore të pjesëtarit të lënduar.

