Minçevi: Administrata shtetërore do të riorganizohet me ligj të ri, nevojitet shumicë prej dy të tretash

Nga D V
A+ A-
Rivendos

Shkup, 23 nëntor, Zhurnal.mk – Administrata shtetërore nuk mund të jetë një grumbull zgjidhjesh individuale të veçanta, të krijuara në rrethana të ndryshme. Ajo duhet të jetë një sistem funksional, i rregulluar me ligj, në të cilin çdo organ do të ketë një rol të përcaktuar qartë në realizimin e interesit publik. Pikërisht nga ky koncept i të kuptuarit të administratës shtetërore buron nevoja për Projekt-ligjin për organizimin dhe funksionimin e organeve të administratës shtetërore, deklaroi ministri i Administratës Publike, Goran Minçev.

Para pjesëmarrësve në debatin e sotëm publik në Kuvend, Minçevi tha se zgjidhja e propozuar ligjore është përgatitur përmes një procesi gjithëpërfshirës, në të cilin janë konsultuar edhe ekspertë. Projekt-ligji u është dorëzuar për shqyrtim institucioneve kompetente dhe koordinatorëve të grupeve parlamentare.

“Qëllimi i tij kryesor nuk është të vendosë një konfigurim të ri administrativ për nevojat e një momenti të caktuar politik, por të avancojë dhe të forcojë rregullat sistemore sipas të cilave organizohet dhe funksionon administrata shtetërore. Analizat e strukturës institucionale kanë treguar nevojën për një harmonizim më të madh sistemor, ndarje më të qartë të kompetencave dhe përcaktim më të saktë të përgjegjësive në kuadër të administratës shtetërore”, tha Minçevi.

Ligji, sipas ministrit, është angazhim për vendosjen e një baze më të fortë normative, duke respektuar pozitën e tyre kushtetuese dhe për të krijuar rregulla më të qarta për funksionimin e administratës shtetërore.

Ligji bazohet në katër dispozita sistemike të ndërlidhura – vendosjen e një organizimi funksional të administratës shtetërore, stabilitetin institucional të institucioneve (parashikon vlerësimin periodik pesëvjeçar të funksionalitetit të organeve shtetërore), ndarjen ndërmjet përgjegjësisë politike dhe asaj profesionale në funksionimin e institucioneve, si dhe forcimin e sigurisë juridike.

Ligji ka edhe dimension evropian dhe është në përputhje me hapat e Agjendës së Reformave, por, siç tha Minçevi, bëhet fjalë për një zgjidhje të përshtatur me kushtet vendore.

Debati i sotëm publik, sipas Minçevit, është një mundësi shtesë që zgjidhjet e propozuara të shqyrtohen. Ai theksoi se Ministria mbetet e hapur për të gjitha propozimet e bazuara juridikisht lidhur me Projekt-ligjin.

Ligji është ende në versionin e Projekt-ligjit dhe nuk ka hyrë në procedurën parlamentare. Për miratimin e tij nevojitet shumicë prej dy të tretash në Kuvend.

artikuj të ndërlidhura