Vazhdon gjykimi për rastin “Puls”: Sot do të dëshmojnë një e punësuar në diskotekë dhe një piroteknik

Nga D V
A+ A-
Rivendos

Shkup, 24 nëntopr, Zhurnal.mk – Gjykimi për zjarrin në diskotekën “Puls” në Koçan pritet të vazhdojë sot në sallën gjyqësore të burgut “Idrizovë”, pranë Gjykatës Themelore Penale Shkup, me dëgjimin e dëshmitarëve të propozuar nga mbrojtja.

Për seancën e sotme, mbrojtja e të akuzuarit të parë, Dejan Jovanov, ka paralajmëruar dëshminë e disa personave, ndër të cilët një e punësuar në diskotekë, një piroteknik i angazhuar nga objekti, një bashkëpunëtor i grupit muzikor DNK, një hotelier nga Gjevgjelia, një i punësuar në shërbimin zjarrfikës, si dhe persona të përfshirë në rregullimin e brendshëm dhe funksionimin e hershëm të “Puls”.

Në seancën e mëparshme dëshmoi Magdalena Jovanova, vajza e të akuzuarit të parë, e cila deklaroi se në diskotekë kishte aparate kundër zjarrit pranë hyrjes kryesore, skenës dhe bareve, ndriçim emergjent pranë disa daljeve dhe dalje të shënuara. Ajo shtoi se piroteknika ishte përdorur edhe në ngjarje të mëparshme dhe se gjatë vizitave të saj shpesh kishte vërejtur kontrolle policore në hyrje, dalje dhe të letërnjoftimeve të mysafirëve.

Para gjykatës dëshmoi edhe marangozi Sashko Zafirov, i cili, sipas një angazhimi verbal nga Jovanov, kishte kryer punime të brendshme në vitet 2012 dhe 2024. Ai kishte vendosur panele druri mbi konstruksione metalike të përgatitura më parë dhe kishte bërë rregullime në ndarëset e lokalit në vitin 2024, duke theksuar se atëherë nuk kishte pasur ndërhyrje në konstruksionin e kulmit.

Procesin gjyqësor e udhëheq gjykatësja Diana Gruevska-Ilievska, ndërsa aktakuzën e përfaqëson një ekip prej 15 prokurorësh publikë. Gjykimi nisi më 19 nëntor 2025, tetë muaj pas zjarrit tragjik të 16 marsit 2025 gjatë performancës së grupit DNK, ku humbën jetën 63 persona dhe mbi 200 të tjerë u plagosën.

artikuj të ndërlidhura