Shkup, 24 nëntor, Zhurnal.mk – Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, më 24 nëntor 2026 do të qëndrojë në një vizitë zyrtare kthimi në Republikën e Kroacisë.
Në përbërje të delegacionit do të jenë kryetarja e Grupit Parlamentar për Bashkëpunim me Parlamentin e Republikës së Kroacisë, Blagica Lasovska, si dhe anëtarët e grupit, Dimitar Kovaçevski, Kaltrina Beqiri dhe Sali Murati.
Gjatë qëndrimit në Zagreb, kryetari Gashi do të zhvillojë takime me përfaqësuesit më të lartë të pushtetit legjislativ dhe ekzekutiv të Republikës së Kroacisë. Vizita zyrtare paraqet një mundësi për shkëmbim mendimesh mbi çështje me interes të përbashkët, avancimin e marrëdhënieve bilaterale dhe thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit parlamentar. Njëkohësisht, ajo është konfirmim i përcaktimit të përbashkët për ruajtjen e një dialogu të hapur dhe konstruktiv, si dhe për kultivimin e marrëdhënieve tradicionalisht të afërta dhe miqësore ndërmjet dy vendeve, të bazuara në partneritet, besim të ndërsjellë dhe fqinjësi të mirë, të cilat paraqesin një shembull pozitiv të bashkëpunimit konstruktiv në rajon.
Pjesë e rëndësishme e agjendës bilaterale do të jetë edhe perspektiva evropiane e Republikës së Maqedonisë së Veriut. Republika e Kroacisë është një mbështetëse e rëndësishme dhe e vazhdueshme e rrugës evropiane të vendit tonë, mbështetje që vlerësohet lart si nga institucionet ashtu edhe nga qytetarët dhe që paraqet një nxitje të rëndësishme në përpjekjet për realizimin e qëllimeve të përbashkëta evropiane.
Me këtë vizitë zyrtare kthimi konfirmohet rëndësia e partneritetit të ngushtë ndërmjet dy vendeve dhe përkushtimi i tyre i përbashkët ndaj vlerave evropiane, stabilitetit rajonal dhe prosperitetit, thuhet në njoftimin e shërbimeve të Kuvendit.

