Uashington, 25 nëntor Zhurnal.mk – Agjencia Qendrore e Inteligjencës e SHBA-së, CIA dhe Zyra e Drejtorit të Inteligjencës Kombëtare të SHBA-së, ODNI, kanë zbuluar së fundmi një shkelje të sigurisë kibernetike, e cila ekspozoi një pjesë të informacionit të tyre jo të klasifikuar.
Sipas një artikulli të publikuar nga gazeta “The New York Times”, persona të paidentifikuar kanë depërtuar në një rrjet që kërkon dhe mbledh informacione nga materiale publike, të cilat nuk janë të klasifikuara si sekrete. Megjithëse nuk është bërë e qartë se cilat materiale specifike jo të klasifikuara janë komprometuar, vlerësohet se gjatë sulmit janë ekspozuar edhe informacione nga agjenci të tjera qeveritare.
Zyra e Drejtorit të Inteligjencës Kombëtare të SHBA-së bëri të qartë se “nuk ka pasur ndërprerje të funksioneve kritike apo të sistemeve të klasifikuara”.
Lajmi për këtë shkelje të sigurisë kibernetike vjen në një kohë kur janë shtuar rastet e ndërprerjeve të sistemeve teknologjike dhe incidenteve të sigurisë kibernetike, përfshirë edhe një sulm të raportuar së fundmi në Departamentin e Bujqësisë të SHBA-së.
