Kur institucionet heshtin qytetarët veprojnë, tabela e parkut në Butel edhe në shqip!

Nga I.A
A+ A-
Rivendos

Shkup, 25 nëntor, Zhurnal.mk – Nga një kryetar komune pritet menaxhim i mirë urban, zhvillim i qëndrueshëm dhe respektim i ligjit. Nuk ka dyshim se kryetari i Komunës së Butelit është vlerësuar nga shumë qytetarë për qëndrimin e tij kundër betonizimit të komunës dhe për ruajtjen e hapësirave publike. Megjithatë, misioni i një kryetari nuk përfundon me ndërtimin e parqeve apo me ruajtjen e gjelbërimit. Përgjegjësia e tij shtrihet shumë më larg te respektimi i ligjeve, garantimi i barazisë së qytetarëve dhe trajtimi i të gjithëve pa dallim etnie, gjuhe apo përkatësie politike, shkruan Zhurnal.

Një kryetar komune, në thelb të funksionit të tij duhet të jetë simbol i paanshmërisë institucionale, ashtu siç pritet të jenë presidenti i shtetit apo kryetari i Kuvendit. Institucioni që ai drejton nuk i takon vetëm një komuniteti, por të gjithë qytetarëve që jetojnë në territorin e komunës. Pikërisht këtu lind dilema që po e shtron një pjesë e madhe e opinionit shqiptar në Butel pse po injorohet një e drejtë ligjore dhe kushtetuese që buron nga vetë përbërja multietnike e komunës?

Paradoksi është i qartë. Ndërtohet një park modern që pritet të vizitohet nga mijëra qytetarë e fëmijë, por në hyrje të tij vendoset një tabelë emërtuese vetëm në gjuhën maqedonase. Jo në ndonjë vend të largët, por në një komunë ku shqiptarët përbëjnë rreth 37 për qind të popullsisë. Dhe ajo që e bën situatën edhe më problematike është mungesa e arsyetimit, shpjegimit apo reflektimit institucional.

Nëse një park duhet të bashkojë qytetarët, atëherë mënyra se si është trajtuar çështja e gjuhës në Mega Parkun e Butelit ka arritur të prodhojë efektin e kundërt ndarje, pakënaqësi dhe ndjenjën se një komunitet i tërë po trajtohet si i padukshëm.

Çfarë po ndodh me Parkun në Butel?

Hapja e Mega Parkut në Butel fillimisht u prit si një projekt pozitiv për komunën dhe qytetarët e saj. Mirëpo, shumë shpejt vëmendja u zhvendos nga vetë parku te tabela e vendosur në hyrje, e cila ishte shkruar vetëm në gjuhën maqedonase. Në një komunë ku shqiptarët përbëjnë një pjesë të konsiderueshme të popullsisë, kjo u interpretua si një përjashtim i panevojshëm dhe i qëllimshëm.

Reagimet e qytetarëve, organizatave dhe faktorëve politikë shqiptarë nuk vonuan. Për shumë prej tyre, problemi nuk ishte vetëm një tabelë pasi problemi ishte mesazhi që përcillej. Një park publik ndërtohet me mjete publike dhe u takon të gjithë qytetarëve, prandaj edhe identiteti i tij institucional duhet të reflektojë realitetin shumëetnik të komunës.

Çështja vazhdon të mbetet pa epilog edhe pse kanë kaluar javë nga ngritja e debatit publik. Mungesa e veprimit nga komuna ka rritur dyshimet se nuk kemi të bëjmë me një lëshim teknik apo administrativ, por me një qëndrim të vetëdijshëm politik.

Nga Inspektorati për Përdorimin e Gjuhëve kanë bërë të ditur se është iniciuar procedurë për shkak të mungesës së gjuhës shqipe në tabelën informuese të Mega Parkut. Institucioni ka rikujtuar qartë se tabela duhet të harmonizohet me dispozitat e Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve. Kjo do të thotë se nuk flitet për dëshira politike apo interpretime subjektive, por për detyrime ligjore që duhet të respektohen nga çdo institucion.

Në mungesë të veprimit institucional veprojnë qytetarët

Kur institucionet heshtin, zakonisht reagojnë qytetarët. Pikërisht kjo ndodhi edhe në Butel ku qytetarë të shumë me vetëiniciativë vendosën mbishkrimin edhe në shqip në po të njëjtën tabelë. Pas reagimeve të këshilltarëve të AKI-së, qëndrimin e tyre e shprehën edhe këshilltarët e VLEN-it, të cilët përshëndetën iniciativën qytetare për vendosjen e mbishkrimit në gjuhën shqipe, duke kërkuar njëkohësisht që problemi të marrë zgjidhje institucionale dhe jo improvizuese.

Çfarë po humbë parku meqë nga dje mbishkrimi është edhe në gjuhën shqipe? Çfarë po humbë komuna e kryetari? Absolutisht asgjë. Përkundrazi, parku duket më gjithëpërfshirës, ndërsa institucioni më përfaqësues. Prandaj, është e vështirë të gjendet një argument racional për rezistencën ndaj një kërkese që buron nga ligji dhe nga realiteti demografik i komunës. Në fund, gjithçka ngjan si një debat i prodhuar artificialisht, një politikë ditore pa sens, pa nevojë dhe pa dobi për qytetarët. /Zhurnal.mk

artikuj të ndërlidhura