Mexhiti: Nga 100% maqedonisht, provimet profesionale i bëjmë 100% shqip

Nga I.A
A+ A-
Rivendos

Shkup, 25 nëntor, Zhurnal.mk – Bashkëkryetari VLEN-it Izet Mexhiti tha se ky është një avancim në përdorimin zyrtar të gjuhës shqipe, duke theksuar se nga ardhja e VLEN-it në pushtet janë ndërmarrë hapa konkretë për mundësimin e provimeve profesionale në gjuhën shqipe.

Sipas tij, në gjuhën shqipe tashmë mbahet provimi për revizorë dhe auditorë të autorizuar shtetërorë, ndërsa mundësia për të dhënë provimet në shqip është paraparë edhe për agjentët e sigurimeve që licencohen nga MAPAS.

Ai bëri të ditur se në këtë listë përfshihen edhe provimet profesionale për ekspertët e vlerësimit të ndikimit të projekteve në mjedis dhe të vlerësimit strategjik të mjedisit, si dhe provimet për drejtorë, edukatorë, punëtorë dhe kujdestarë profesionalë në institucionet parashkollore.

Po ashtu, Mexhiti përmendi provimet profesionale për mjekët, stomatologët dhe motrat medicinale, ndërsa njoftoi se në kuadër të Ministrisë së Kulturës është themeluar për herë të parë një njësi për përkthim dhe lektorim.

Duke folur për këtë çështje, Mexhiti tha se nga viti 2002 deri në vitin 2024, provimet profesionale, licencimet dhe provimet shtetërore në institucionet shtetërore janë zhvilluar në gjuhën maqedonase, pavarësisht gjuhës në të cilën kandidatët kishin përfunduar studimet.

Ai gjithashtu përmendi provimin e jurisprudencës, duke thënë se pas hapave të ndërmarrë, studentët shqiptarë së shpejti do të kenë mundësi ta japin atë në gjuhën shqipe.

Mexhiti hodhi poshtë pretendimet për regres në përdorimin e gjuhës shqipe dhe shkelje të Ligjit për përdorimin e gjuhëve, ndërsa kritikoi opozitën shqiptare, duke e akuzuar për manipulim të fakteve dhe përpjekje për t’i atribuuar vetes meritat për këto çështje.

“Duke hapur kapitullin e provimeve profesionale në gjuhën shqipe, ne po bëjmë atë që BDI për 20 vite vetëm e premtonte”, deklaroi Mexhiti.

Ai tha se VLEN do të vazhdojë angazhimin për respektimin e gjuhës shqipe në institucionet shtetërore dhe në procedurat ku qytetarët ushtrojnë të drejtat e tyre.

artikuj të ndërlidhura