Sali në Samitin e Tiranës: Integrimi gradual duhet të përshpejtojë anëtarësimin e plotë në BE

Nga D V
A+ A-
Rivendos

Shkup, 27 nëntor, Zhurnal.mk – Zëvendëskryeministri i parë i Maqedonisë së Veriut, Bekim Sali, ka marrë pjesë në Samitin e Liderëve në Tiranë, ku në fokus të diskutimeve ishin rezultatet e Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor dhe mundësitë e reja për integrim gradual të vendeve të rajonit në Bashkimin Evropian.

Sali theksoi se Maqedonia e Veriut ka siguruar 142,1 milionë euro përmes Instrumentit për Reforma dhe Rritje, ndërsa 22 hapa reformues, me një vlerë bruto të vlerësuar mbi 112 milionë euro, janë në pritje të vlerësimit nga Komisioni Evropian.

Ai nënvizoi gjithashtu përfitimet konkrete nga përfshirja në Zonën e Vetme të Pagesave në Euro (SEPA), duke bërë të ditur se kursimet e realizuara për qytetarët dhe bizneset kanë tejkaluar 5 milionë euro.

Sipas Salit, vendi është i gatshëm të angazhohet në dialog me Komisionin Evropian për një pjesëmarrje më të hershme në politikat, programet dhe strukturat e BE-së, në përputhje me kushtet dhe kriteret përkatëse.

“Integrimi gradual duhet të përshpejtojë rrugën drejt anëtarësimit të plotë në Bashkimin Evropian, e jo ta zëvendësojë atë”, theksoi Sali në fjalën e tij në samit.

artikuj të ndërlidhura