Paris, 27 nëntor, Zhurnal.mk – Lajmet e këqija për ekonominë franceze vijojnë, pasi Franca ka hyrë në recesion që prej tremujorit të dytë të vitit, ndërsa performanca ekonomike në tremujorin e tretë rezultoi më e dobët nga sa ishte parashikuar, bëri të ditur sot Instituti Kombëtar i Statistikave dhe Studimeve Ekonomike (Insee), duke vënë në pikëpyetje parashikimet e qeverisë për rritjen ekonomike gjatë gjithë vitit.
Produkti i Brendshëm Bruto (PBB), që mat aktivitetin ekonomik përmes pasurisë së krijuar, u tkurr me 0,2% në tremujorin e tretë, pas një stanjacioni në tremujorin e dytë dhe një rënieje prej 0,2% në tremujorin e parë, njoftoi “Insee” në raportin e detajuar.
Instituti Kombëtar i Statistikave rishikoi në ulje vlerësimin e tij fillestar për tremujorin e tretë, i cili parashikonte një tkurrje prej 0,1%.
Të dhënat e përditësuara tregojnë se vendi ka hyrë që prej tremujorit të dytë në atë që njihet si recesion teknik, i karakterizuar nga dy tremujorë radhazi me rënie të PBB-së.
Në terma absolutë, PBB-ja u ul në tremujorin e parë dhe të dytë, përkatësisht në 664,4 miliardë dhe 664,2 miliardë euro, nga 665,7 miliardë euro në tremujorin e katërt të vitit 2025. Në tremujorin e tretë, ekonomia shënoi një tjetër rënie, duke zbritur në 662,6 miliardë euro.
Në fund të tetorit, “Insee” kishte publikuar ende të dhëna që tregonin stabilitet të plotë ekonomik në tremujorin e parë dhe të dytë.
“Tashmë kemi një rënie shumë të lehtë të PBB-së gjatë tremujorit të dytë”, deklaroi Marie Leclair, drejtuese e Departamentit të Llogarive Kombëtare në Insee, gjatë një konference për shtyp.
Sipas saj, kjo “nuk e ndryshon realisht panoramën e përgjithshme që kemi paraqitur për ekonominë”, por “teknikisht, mund të themi se jemi në recesion”.
