Londër, 27 nëntor, Zhurnal.mk – Një incident kibernetik ka detyruar Departamentin britanik të Punës dhe Pensioneve (DWP) të nxjerrë përkohësisht jashtë funksionit disa prej sistemeve të tij.
Departamenti, i cili është përgjegjës për administrimin e sistemit të ndihmës sociale në Britaninë e Madhe, bëri të ditur se po bashkëpunon me Qendrën Kombëtare të Sigurisë Kibernetike (NCSC), pjesë e agjencisë së inteligjencës GCHQ, si dhe me ekspertë të tjerë qeveritarë për të hetuar incidentin.
Zyrtarët theksuan se pagesat e pensioneve dhe të përfitimeve sociale nuk do të preken nga kjo situatë dhe do të kryhen normalisht.
Në një deklaratë të publikuar në faqen zyrtare të DWP-së thuhet se disa shërbime online janë çaktivizuar si masë paraprake, pasi u identifikua një incident kibernetik që preku sistemet e departamentit.
Autoritetet po punojnë për të hetuar rastin dhe për të rikthyer shërbimet në funksion sa më shpejt të jetë e mundur, duke synuar minimizimin e çdo ndërprerjeje. Departamenti paralajmëroi gjithashtu qytetarët se nuk do t’u kërkojë kurrë përmes mesazheve të dhënat bankare apo të klikojnë në lidhje të dyshimta.
Sipas informacioneve të deritanishme, deri sot në mëngjes nuk kishte prova se të dhënat personale të personave që përfitojnë nga shërbimet e DWP-së ishin vjedhur, megjithëse hetimet vijojnë.
Ndër shërbimet që rezultonin jashtë funksionit ishin aplikimi për kredinë universale (Universal Credit), hyrja në llogaritë ekzistuese dhe kërkimi i vendeve të punës.
Kryetarja e Komisionit për Punën dhe Pensionet në Dhomën e Komuneve, Debbie Abrahams, e cilësoi si një lehtësim të madh faktin që pagesat e pensioneve dhe përfitimeve sociale nuk ishin prekur. Ajo vlerësoi reagimin e shpejtë të departamentit për të kufizuar dëmet e mundshme dhe theksoi se është e rëndësishme të analizohet ndikimi i ndërprerjes së shërbimeve te qytetarët, në mënyrë që atyre t’u jepen udhëzime të sakta dhe në kohë.
