Gërvalla bashkëbisedon me nxënësit e shkollës “Elena Gjika” për dhunën në familje

Nga D V
A+ A-
Rivendos

Prishtinë, 27 nëntor, Zhurnal.mk – Ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, ka zhvilluar një bashkëbisedim me nxënësit e Shkollës së Mesme të Mjekësisë “Elena Gjika”, ku temë diskutimi ishte dhuna në familje dhe mbrojtja e kategorive të cenueshme të shoqërisë.

Përmes një postimi, Gërvalla ka theksuar se mbrojtja nga dhuna nuk duhet të kufizohet vetëm në një kategori, duke nënvizuar se, përveç grave që mbeten grupi më i prekur, vëmendje të veçantë duhet t’u kushtohet edhe fëmijëve dhe të moshuarve.

Ajo ka bërë të ditur se gjatë takimit ka dëgjuar edhe pikëpamjet e të rinjve për dhunën dhe mënyrën se si institucionet duhet të reagojnë ndaj këtij fenomeni.

Sipas Gërvallës, mendimet dhe sugjerimet e të rinjve duhet të merren parasysh gjatë hartimit të Strategjisë Kombëtare për Mbrojtjen nga Dhuna 2027–2031.

Ministrja ka theksuar se një strategji e mirë nuk duhet vetëm të përcaktojë kategoritë që kanë nevojë për mbrojtje, por edhe të identifikojë ndryshimet konkrete që duhen bërë në jetën e qytetarëve.

“Zëri i të rinjve duhet të dëgjohet sot, që siguria e tyre të mos mbetet premtim për nesër”, ka shkruar Gërvalla.

Ajo ka përmbyllur mesazhin me thirrjen se asnjë jetë nuk është më pak e denjë për mbrojtje.

artikuj të ndërlidhura