Rritet bashkëpunimi e shkëmbimet midis Kinës dhe Sri- Lankës

Nga Xh M
A+ A-
Rivendos

Të premten, në Kolombo u zhvillua veprimtaria e shkëmbimeve kulturore dhe njerëzore Kinë-Sri-Lankë, e organizuar bashkërisht nga Grupi Mediatik i Kinës (CMG) dhe Televizioni Kombëtar i Sri-Lankës. Kryeministrja e Sri-Lankës, Harini Amarasuriya, mori pjesë në veprimtari dhe mbajti një fjalim. Mbi 150 përfaqësues nga qarqet politike, ekonomike, kulturore, kinematografike e arsimore të Sri-Lankës ishin të pranishëm në veprimtari, ku u prezantuan një sërë rezultatesh të bashkëpunimit mediatik.

Kryeministrja e Sri-Lankës, Harini Amarasuriya, u shpreh që të dyja vendet i kushtojnë rëndësi të madhe miqësisë tradicionale dhe bashkëpunimit dypalësh. Vitet e fundit, bashkëpunimi në fusha të ndryshme është thelluar vazhdimisht, ndërsa CMG-ja ka ruajtur bashkëpunimin e ngushtë me mediat kryesore të Sri-Lankës. Në janar të vitit të kaluar, gjatë vizitës së presidentit të Sri-Lankës në Kinë, të dyja vendet nënshkruan 15 memorandume mirëkuptimi për bashkëpunim, tri prej të cilave ndërmjet CMG-së dhe institucioneve kryesore mediatike të Sri-Lankës, duke krijuar mundësi të reja për thellimin e shkëmbimeve kulturore dhe mediatike.

Amarasuriya theksoi që Sri-Lanka dhe Kina kanë potencial të madh bashkëpunimi në fushën e shkëmbimeve kulturore e njerëzore. Ajo shprehu shpresën se kjo veprimtari do të zgjerojë më tej hapësirat e bashkëpunimit dhe do të nxitë mirëkuptimin e ndërsjellë mes dy popujve. Në vitin 2027 shënohen 70-vjetori i vendosjes së marrëdhënieve diplomatike ndërmjet dy vendeve dhe 75-vjetori i nënshkrimit të Marrëveshjes së Orizit dhe Gomës. Ajo shprehu shpresën se të dyja palët do ta shfrytëzojnë këtë rast për të ndërtuar së bashku një partneritet edhe më të fortë në të ardhmen.

Shen Haixiong, drejtori i përgjithshëm i CMG-së, u shpreh në fjalimin e tij që, siç ka theksuar presidenti Xi Jinping, Kina e Sri-Lanka janë bashkudhëtare në rrugën e zhvillimit dhe të përtëritjes, si edhe partnere të mira në bashkëpunimin me përfitime të ndërsjella. Nga nënshkrimi i Marrëveshjes së Orizit dhe Gomës deri te ndërtimi i përbashkët me cilësi të lartë i “Një brez, një rrugë”, të dyja vendet e kanë mbështetur gjithmonë njëra-tjetrën dhe kanë ecur së bashku përpara.

Me këtë rast, CMG-ja prezantoi serinë e reportazheve “Qeverisja e Kinës dhe zhvillimi botëror” dhe nisi sesionin e posaçëm për Sri-Lankën të dialogut global me të njëjtën temë, për të shpjeguar frymën e plenumit të 5-të të Komitetit Qendror të 20-të të Partisë Komuniste të Kinës dhe për të ndarë përvojën praktike të qeverisjes së Kinës, në mënyrë që mençuria dhe zgjidhjet kineze t’u shërbejnë më mirë të dy popujve. Njëkohësisht, nisën një sërë projektesh bashkëpunimi për krijimin e qendrave studimore mediatike, transmetimin e prodhimeve cilësore filmike e televizive, si edhe realizimin e intervistave dhe programeve të përbashkëta, me synim afrimin e mëtejshëm të dy popujve. CMG-ja është e gatshme të bashkëpunojë me qarqe të ndryshme të Sri-Lankës për zbatimin e konsensuseve të rëndësishme të arritura nga krerët e dy vendeve, për të kontribuuar në ndërtimin e përbashkët me cilësi të lartë të “Një brez, një rrugë” dhe të një bashkësie me të ardhme të përbashkët Kinë – Sri-Lankë, duke shkruar një kapitull të ri të miqësisë dypalëshe.

Me rastin e 70-vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike Kinë – Sri-Lankë, po atë ditë nisën xhirimet e serisë së programeve speciale “Begatia e Rrugës së Mëndafshit”, një bashkëprodhim i CMG-së dhe Televizionit të Pavarur të Sri-Lankës, që synon të ndajë përvojën dhe mençurinë praktike të zhvillimit të Kinës, si edhe të përcjellë miqësinë tradicionale mes dy vendeve. Që nga viti 2018 janë transmetuar afro 200 episode të programit “Begatia e Rrugës së Mëndafshit” në gjuhën sinhaleze, duke dhënë një kontribut të rëndësishëm për nxitjen e shkëmbimeve dhe të bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve në fusha të ndryshme.

artikuj të ndërlidhura