Shkup, 28 nëntor Zhurnal.mk – Qeveria nuk pati fare nevojë që të dërgojë kërkesë për mendim deri te Komisioni i Venecias për provimin e jurisprudencës. Kështu u shpreh në emisionin Gjurmët, gjykatësi kushtetues, Osman Kadriu. Sipas tij, çështja e përdorimit të gjuhëve është e garantuar me kushtetutë dhe në këtë rast, nuk mundet kjo e drejtë të pengohet dhe të shkurtohet përmes zgjidhjeve të tjera ligjore. U bën thirrje studentëve dhe partive politike të mos e pranojnë këtë zgjidhje të ofruar ndërsa konsideron se Komisioni i Venecias është politizuar.
“Ligjvënësi me ligj nuk mundet me ligj të ngushton një të drejtë që e garanton Kushtetuta. Nuk guxon ta kushtëzon realizimin e të drejtës kushtetuese që e garanton Kushtetuta. Nuk guxon me ligj ta cungon të drejtën që e garanton kushtetuta, mos flasim për abrogimin e një të drejte. Ajo është ndalesë kushtetuese. Prandaj me ligjin në fjalë vetëm duhet të realizohet një e drejtë që u sigurohet në rastin konkret etnikumit shqiptar për provimin e jurisprudencës”, tha Osman Kadriu – Jurist / Gjykatës Kushtetues.
Në janar skadon mandati i dy gjykatësve të zgjedhur nga presidenti i shtetit. Bëhet fjalë pikërisht për Osman Kadriun dhe kryetarin e Kushtetueses, Darko Kostadinovski. Sipas Osmanit, është e nevojshme të hapet Kushtetuta dhe të rritet numri i gjykatësve shqiptarë, nga dy të rritet në tre ose edhe më tepër.
“Kjo çështje do të ngelet… se kjo çështje ka arritur në statusin zero. Gjykatësit e radhës që do të vijnë duhet të vijnë duhet të fillojnë prej fillimit, pra përgatitja e referatit nga gjykatësi referues i cili do të përcaktohet. Duhet të përgatitet siç ishte synimi edhe një mbledhje përgatitore me pjesëmarrësit dhe pjesëtarët e komisionit të Venedikut dhe pjesëtarë të Gjykatës Evropiane. Prandaj do të kalojë edhe shumë kohë”, shtoi Osman Kadriu – Jurist / Gjykatës Kushtetues.
Kujtojmë se në Kushtetuese ka mbetur e hapur çështja ku kontestohet ligji për përdorimin e gjuhëve. Në Kushtetuese kontestohet edhe ligji për amnisti, përkatësisht ka nismë për anulimin e interpretimit autentik të nenit 1 nga ligji për amnisti. Për këtë lëndë, referues është vet gjykatësi Osman Kadriu i cili njoftoi se lënda ka përfunduar dhe e njëjta i është dërguar kryetarit të gjykatës që nga shkurti i këtij viti por e njëjta deri tani nuk është vendosur në seancë.
