A do të ndërtohet centrali me gaz në Maqedoninë e Veriut?

Nga Xh M
533 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Budapest, 28 prill Zhurnal.mk – Kryeministri i ri hungarez Péter Magyar ka ngritur sërish akuza të forta ndaj oligarkëve të lidhur me kryeministrin Viktor Orbán, duke deklaruar se ata po i transferojnë paratë jashtë Hungarisë dhe madje po përgatiten të largohen nga vendi.

Sipas tij, dhjetëra miliarda forinta po zhvendosen drejt vendeve si Emiratet e Bashkuara Arabe, SHBA dhe Uruguaji. Ai shtoi se autoritetet tatimore hungareze kanë pezulluar disa transferta të mëdha për shkak të dyshimeve për pastrim parash dhe u bëri thirrje institucioneve që të ndërhyjnë menjëherë.

Magyar përmendi gjithashtu emrin e biznesmenit Lőrinc Mészáros, një nga njerëzit më të pasur në Hungari dhe i njohur për afërsinë me Orbán, duke theksuar se disa oligarkë tashmë kanë lënë vendin, ndërsa familja e tij pritet të zhvendoset në Dubai.

Lidhja me projektin energjetik në Maqedoninë e Veriut

Këto zhvillime hedhin hije dyshimi mbi një nga projektet më të mëdha energjetike të planifikuara në Maqedoninë e Veriut – ndërtimin e një centrali kogjenerativ me gaz me kapacitet prej 495 MW dhe vlerë rreth 445 milionë euro.

Sipas planit vjetor të qeverisë për vitin 2026, projekti është paraparë të realizohet në rajonin e Vardarit nga kompania “Status Energy DOO Shkup”, e cila jozyrtarisht lidhet me kompaninë hungareze “Status Energy KFT”.

Kjo kompani është pjesë e një strukture investuese në sektorin energjetik dhe ka qenë e përfshirë në tregun e gazit në Hungari përmes partneritetit me kompaninë zvicerane MET Group. Më vonë, pronësia ka kaluar te kompania OPUS Global, e kontrolluar nga Mészáros.

Në të njëjtën kohë, MET Group është tashmë aktive edhe në tregun maqedonas përmes filialit të saj dhe posedon licencë për tregti me gaz natyror që nga viti 2025.

E ardhmja e pasigurt e investimit

Megjithëse projekti për centralin me gaz është pjesë e planeve zyrtare të qeverisë, zhvillimet e fundit në Hungari dhe pretendimet për largimin e investitorëve të lidhur me Orbán mund të ndikojnë në realizimin e tij.

Për momentin nuk ka konfirmim zyrtar se projekti është anuluar, por situata krijon pasiguri për një investim që konsiderohet kyç për sektorin energjetik në vend.

Aktualisht, centrali i vetëm me gaz në Maqedoninë e Veriut mbetet TE-TO, i cili është në pronësi private.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër