Adelina Ismaili, e cilësuar ndër vite si një prej divave të estradës shqiptare, ka reaguar pas zhvillimeve të djeshme në Hagë, përmes një publikimi në llogarinë e saj zyrtare në Instagram.
Këngëtarja ka zgjedhur të ndajë një fragment nga kënga e saj shumë e njohur “Ushtarit tim”, një prej projekteve muzikore që i kushtohet nënave dhe grave që përcollën burrat e tyre në luftën çlirimtare të Kosovës.
Krahas videos, Adelina ka shkruar edhe një mesazh në të cilin ka shprehur mirënjohjen e saj për luftëtarët e rënë gjatë luftës në Kosovë, duke e lidhur sakrificën e tyre me lirinë që, sipas saj, gëzohet sot.
“Për të gjithë luftëtarët e lirisë që ranë në luftë, u përulemi me respekt e mirënjohje të përjetshme.
Sakrifica juaj bëri që ne dhe fëmijët tanë të jetojmë të lirë, të gëzohemi dhe të këndojmë shqip. Gjaku dhe amaneti juaj do të kujtohen brez pas brezi.
Për lirinë që na e latë trashëgim, faleminderit përjetë. UÇK-ja është e shenjtë për jetë e mot”, ka shkruar Ismaili.
Kënga “Ushtarit tim” është një prej këngëve të repertorit të Adelinës që lidhet me periudhën e luftës së Kosovës dhe me përjetimet e grave e familjeve që përjetuan atë periudhë.
Publikimi i saj vjen një ditë pas aktgjykimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës ndaj ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi, duke bërë që reagimet e figurave publike shqiptare të vazhdojnë edhe gjatë ditës së sotme.
– YouTube youtu.be
