Adnan Azizi nga Vrapçishti: Më 11 janar i japim fund zaptimit të komunës, fitorja e Zulhajrat Demirit është e sigurt

nga Xh M

Vrapçisht, 3 janar – Deputeti dhe eksponenti i lartë i koalicionit VLEN, Adnan Azizi, mori pjesë në tubimin madhështor të mbajtur në Gradec të Vrapçishtit, ku dha një mesazh të fuqishëm mobilizimi për zgjedhjet e ardhshme lokale që do të mbahen më 11 janar. Para qytetarëve dhe mërgimtarëve të shumtë, Azizi theksoi se këto zgjedhje janë vendimtare për të ardhmen e komunës dhe për t’i dhënë fund keqmenaxhimit disavjeçar.

Gjatë fjalës së tij, Azizi nuk i kursye kritikat ndaj kundërkandidatit, duke e akuzuar atë për paqëndrueshmëri politike dhe interes personal.

“Kundërkandidatin e kemi parë. E la Selën për Aliun, pastaj për Taravarin. Atij më shumë i interesonin këto akrobacionet politike se sa puna për Vrapçishtin,” tha Azizi.

Sipas tij, lëvizjet e fundit politike të rivalit janë një tentativë për të gjetur “mbrojtje” nga skandalet e shitjes së mijëra hektarëve tokë publike dhe keqpërdorimeve të tjera që pritet të bëhen publike së shpejti.

Premtimi për ndryshim: Infrastrukturë dhe zhvillim me Zulhajrat Demirin

Në qendër të platformës së VLEN-it për Vrapçishtin është kandidati Zulhajrat Demiri (Numri 5). Azizi garantoi se me ardhjen e Demirit në krye të komunës, fokusi do të rikthehet te qytetari.

Infrastrukturë moderne dhe ujë të pijshëm për çdo shtëpi.

Terrene sportive dhe hapësira për rininë që ata të qëndrojnë në vendlindje.

Hapja e vendeve të reja të punës përmes zhvillimit ekonomik.

Mbështetja e plotë nga Qeveria

Azizi siguroi banorët e Vrapçishtit se Zulhajrat Demiri ka mbështetjen e pakursyer të Qeverisë ku bën pjesë VLEN, duke marrë si shembull sukseset e arritura në komunat si Tetova dhe Zhelina.

“Për dikë që do të punojë, besoni se është shumë lehtë për të bërë gjëra të mira. Është koha që edhe Vrapçishti të zgjedhë ardhmërinë, punën dhe zhvillimin, ashtu siç zgjodhën shumica e komunave shqiptare në vjeshtë,” përfundoi ai, duke shprehur bindjen e plotë për një fitore plebishitare më 11 janar.

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More