Fëmijët e Blerim Bexhetit hapin kompani ndërtimi, Evropa e Lirë zbulon detaje

Nga admin
1,211 e lexuar

Shkup, 5 janar – Dy fëmijët e deputetit të BDI-së, Blerim Bexheti, kanë themeluar një kompani me veprimtari ndërtimore, ndërsa Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit (DKSK) ka hapur lëndë për verifikim të pasurisë, pasi kompania nuk është deklaruar në formularin e pasurisë, raporton Radio Evropa e Lirë.

Siç thuhet, bëhet fjalë për kompaninë “VE-INVEST HOLDING DOOEL Shkup”, të themeluar në shtator 2025 nga Valon Bexheti (19 vjeç) dhe Elma Bexheti (21 vjeçe). Sipas Regjistrit Qendror, veprimtaria e saj është ndërtimi i objekteve banesore dhe jo-banesore, ndërsa selia ndodhet në një banesë në pronësi të gjyshit të tyre, Bexhet Bexheti, babai i deputetit.

Kapitali fillestar prej 5.000 eurosh është regjistruar si kapital jomonetar (pajisje shtëpiake dhe zyre).

Blerim Bexheti për Radion Evropa e Lirë deklaroi se fëmijët e tij janë të rritur dhe nuk jetojnë në bashkësi familjare, duke mohuar se kompania do të merret realisht me ndërtimtari. Ai tha se, nëse është e nevojshme, do ta deklarojë kompaninë në Antikorrupsion pas festave.

Nga DKSK konfirmuan se është hapur procedurë verifikimi, pasi sipas ligjit çdo funksionar është i detyruar të raportojë ndryshime të pasurisë brenda 30 ditëve, përndryshe rrezikon gjobë nga 300 deri në 500 euro.

Ndërkohë, Financiarja Policore nuk zbulon nëse pasuria e Bexhetit po hetohet edhe në kuadër të kallëzimit penal për ndërtimin e një ndërtese në Saraj pa plan urbanistik, rast në të cilin dyshohet për përfitim prej 1.7 milionë eurosh nga investitori./REL

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër