Shkup, 5 janar – Drejtori i Drejtorisë për Zona Zhvillimore Teknologjike-Industriale (TIZH/TIRZ) jep detaje për investimet e reja të konfirmuara, si dhe për situatën e investimeve ekzistuese.
Dy investime janë planifikuar të realizohen në TIRZ Shkup dhe i përkasin industrisë farmaceutike dhe industrisë së teknologjisë së lartë, ndërsa investimi i tretë është planifikuar të vendoset në TIRZ Tetovë dhe bëhet fjalë për një kapacitet prodhues nga industria automobilistike, ku do të prodhohet një komponent që deri më tani nuk është prodhuar në Maqedoninë e Veriut. Këtë e zbulon Goce Dimovski, drejtor i Drejtorisë për Zona Zhvillimore Teknologjike-Industriale, në një intervistë për “Faktor”. Dimovski jep gjithashtu detaje për investimet ekzistuese dhe situatën me Dura Automotive, Aptiv, Van Hool, Avesta dhe kompani të tjera.
Gjatë periudhës së kaluar u përmend se dy kompani nga sektori i teknologjisë së lartë do të investojnë gjithsej rreth 80 milionë euro dhe do të hapin rreth 1.000 vende pune. Deri në fund të vitit të kaluar u tha se priteshin edhe të paktën tri konfirmime të tjera për investime në vend. A mund të na tregoni se cilët janë investitorët dhe nëse aktiviteti i tyre do të zhvillohet në zonat zhvillimore? Na jepni detaje rreth këtyre aktiviteteve.
Qasja serioze e kësaj qeverie në aspektin e tërheqjes së investimeve të huaja ka dhënë rezultate konkrete. Konkretisht, tri kompani tashmë kanë marrë vendim për të investuar në Maqedoninë e Veriut dhe të tri investimet do të sjellin prodhim me teknologji të lartë në vend, duke krijuar rreth 1.500 vende të reja pune dhe duke rritur ndjeshëm eksportin. Sipas planeve të tyre të biznesit, vetëm në fazën e parë këto kompani planifikojnë të investojnë së bashku mbi 100 milionë euro.
Këto investime do të vendosen në zonat zhvillimore teknologjike-industriale (TIRZ), ku dy prej tyre janë planifikuar për TIRZ Shkup dhe i përkasin industrisë farmaceutike dhe asaj të teknologjisë së lartë, ndërsa investimi i tretë është planifikuar për TIRZ Tetovë dhe bëhet fjalë për një kapacitet prodhues nga industria automobilistike, ku do të prodhohet një komponent që deri tani nuk është prodhuar në Maqedoninë e Veriut.
Kompanitë Dura Automotive dhe Aptiv kanë paralajmëruar tërheqje graduale nga Maqedonia e Veriut për arsye strategjike. A janë sqaruar marrëdhëniet me këto kompani dhe a dihet deri kur do të qëndrojnë në vend?
Duke pasur parasysh faktin se nga ana jonë çdo kompanie që ka kontratë aktive për ndihmë shtetërore, të paktën një herë në vit i bëhet një kontroll dhe analizë e detajuar për përmbushjen e kontratës për ndihmë shtetërore nga auditorë të jashtëm, për të dyja kompanitë është konstatuar shkelje e kontratave të ndihmës shtetërore nga ana e tyre. Për këtë arsye janë ndërmarrë masa dhe aktivitete me qëllim kthimin e ndihmës shtetërore të dhënë këtyre kompanive.
Konkretisht, DURA Automotive tashmë e ka ndërprerë prodhimin dhe aktualisht jemi në negociata me një kompani të huaj që planifikon të investojë në Maqedoninë e Veriut dhe është e interesuar të shfrytëzojë objektin që përdorte Dura Automotive. Sa i përket Aptiv, sipas informacioneve që kemi marrë, ata planifikojnë ta ndalojnë prodhimin deri në fund të vitit 2026. Edhe në këtë rast ekzistojnë kompani të huaja të interesuara për ta marrë Aptiv, me qëllim që objekti të mbetet funksional edhe pas largimit të tyre.
Industria automobilistike në Evropë është goditur rëndë. Si do të reflektohet kjo në vitin 2026 në zonat zhvillimore tek ne, duke ditur se kjo industri është më e përfaqësuara? A ka presione për mbështetje?
Është fakt se industria automobilistike në vitin 2025 u përball me sfida serioze, të cilat krijuan presion të madh në Evropë, veçanërisht për shkak të uljes së vëllimit të prodhimit dhe porosive. Ne si Drejtori e TIRZ jemi në komunikim të vazhdueshëm me të gjitha kompanitë për çdo lloj mbështetjeje dhe bashkëpunimi. Po ashtu, në baza mujore bëjmë analiza të detajuara për secilën kompani dhe ndjekim situatën e tyre nga muaji në muaj. Presim që në vitin 2026 prodhuesit e mëdhenj evropianë të automobilave t’i përballojnë këto sfida, gjë që do të ulë presionin mbi industrinë automobilistike dhe do të rrisë vëllimin e prodhimit dhe porosive.
Ka kompani si Van Hool, puna e të cilave është ndikuar ndjeshëm nga tarifat e reja doganore të SHBA-së. A kërkohet mbështetje nga ana e tyre, duke qenë se tashmë po zvogëlohet prodhimi dhe numri i punëtorëve?
Është fakt se tarifat fillestare doganore të vendosura nga SHBA-të shkaktuan një tronditje serioze në ekonominë globale. Në gusht të vitit 2025, SHBA-të publikuan një listë të re të tarifave doganore sipas shteteve, ku për disa vende, përfshirë edhe Maqedoninë e Veriut, tarifat u ulën për më shumë se 50% nga ato fillestare, gjë që u përshëndet nga qeveria jonë.
Me kompaninë VDL Van Hool jemi në komunikim të vazhdueshëm dhe sipas vendimit të SHBA-së të miratuar në tetor 2025, u përcaktua tarifë doganore prej 10% për të gjithë autobusët e importuar. Ky vendim vlen edhe për autobusët e prodhuar në Maqedoninë e Veriut nga VDL Van Hool dhe të eksportuar në SHBA. Kjo ulje e tarifave u përshëndet nga kompania. Për VDL Van Hool mund të them se viti 2025 ka qenë dukshëm më i mirë krahasuar me vitin 2024, pasi në periudhën janar–nëntor 2025 eksporti është rritur ndjeshëm krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2024.
Dëshiroj të theksoj angazhimin serioz të kësaj qeverie për arritjen e një marrëveshjeje për tarifat doganore me SHBA-të. Negociatat janë ende në zhvillim dhe presim që tarifat të jenë më të ulëta se ato aktuale.
Prodhuesit e sistemeve të baterive BMZ dhe Avesta kanë paralajmëruar vende pune me paga të larta. Në çfarë faze janë këto investime dhe a do të rrisin nivelin e pagës mesatare në zonat zhvillimore?
Sa i përket BMZ-së, mund të them se investimi po realizohet sipas dinamikës së paraparë dhe deri në dhjetor 2025 numri i të punësuarve ka kaluar 120 persona, me plan për rritje të mëtejshme. Për Avesta-n, ka pasur një ngadalësim në ndërtimin e objektit për shkak të arsyeve teknike, pasi investitori ka kërkuar ndryshime gjatë ndërtimit të kapacitetit prodhues. Për këtë arsye u desh të ndalet përkohësisht ndërtimi për të miratuar të gjitha ndryshimet në dokumentacionin urbanistik dhe projektues, në përputhje me legjislacionin në fuqi.
Po ashtu, dua të theksoj edhe investime të tjera aktuale që janë në fazë ndërtimi të kapaciteteve të reja prodhuese, si Shahterm dhe Cagatay Kablo, të cilat së bashku me investimet e tjera në proces dhe ato që tashmë kanë marrë vendim për të investuar, do të ndikojnë ndjeshëm në zhvillimin e ekonomisë vendase, përfshirë edhe rritjen e pagës mesatare të të punësuarve në kompanitë që operojnë në zonat TIRZ.
Krahasuar me vitin 2024, sa pritet të jetë eksporti nga TIRZ-të këtë vit dhe çfarë mund të pritet në vitin 2026 në aspektin e vendeve të reja të punës dhe investimeve të reja?
Duke pasur parasysh se si Drejtori e TIRZ bëjmë analiza gjithëpërfshirëse në baza mujore, sipas të dhënave deri në nëntor 2025, eksporti nga zonat TIRZ në periudhën janar–nëntor 2025 është rritur për 8% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2024. Presim që eksporti total për vitin 2025 të jetë dukshëm më i lartë se ai i vitit 2024.
Një nga qëllimet kryesore të kësaj qeverie në vitin 2026 është tërheqja e investimeve të huaja cilësore me prodhim të teknologjisë së lartë, të cilat do të krijojnë vende pune me paga të larta dhe do të rrisin më tej eksportin. Qëllimi ynë është diversifikimi i portofolit të investimeve, në mënyrë që të mos jemi të varur vetëm nga një industri. Aktualisht jemi në negociata me rreth 10 kompani të huaja që kanë shprehur interes për të investuar në Maqedoninë e Veriut dhe, sipas planeve të tyre të biznesit, bëhet fjalë për kompani me prodhim të teknologjisë së lartë që do ta rrisin ndjeshëm eksportin. Qëllimi ynë si qeveri është tërheqja e sa më shumë investimeve cilësore të huaja, të cilat do ta pozicionojnë Maqedoninë e Veriut ndër vendet me rritjen më të lartë ekonomike në Evropë.

