Adriatik Kupi jep dorëheqjen nga drejtimi i Drejtorisë së Burgjeve

Nga D V
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 12 tetor, Zhurnal.mk – Pas shtatë muajsh, Adriatik Kupi ka dhënë dorëheqjen nga drejtimi i Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve.

Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Kupi thekson se “gjatë këtyre muajve, puna ime është përqendruar në forcimin e sigurisë, përmirësimin e administrimit dhe modernizimin e sistemit penitenciar. Përparësi kanë qenë rritja e përgjegjshmërisë, mbështetja e profesionalizmit të punonjësve dhe përmirësimi i kushteve të trajtimit të personave që vuajnë dënimin”.

“Besoj se një sistem penitenciar modern matet edhe me mënyrën se si i trajton njerëzit, me respektimin e të drejtave të tyre, me transparencën dhe me mundësitë reale që u jep për t’u rehabilituar e për t’u rikthyer në shoqëri. Kjo ka qenë bindja që më ka udhëhequr në këtë detyrë”, shton Kupi.

Kupi shton gjithashtu se ka pasur edhe kritika, kundërshtime dhe gurë të hedhur mbi këtë punë.

“Kritikën jam përpjekur ta dëgjoj, edhe kur ka qenë e vështirë. Përballë pengesave, kemi vazhduar të punojmë. Për disa gjëra të tjera, koha do të flasë më qartë se unë sot”, shkruan ai.

Më tej Kupi thekson se “largohem me mirënjohje për të gjithë ata që punuan me mua, që ndanë përgjegjësitë dhe që i qëndruan pranë kësaj pune deri në fund”.

“Largohem nga detyra me respekt për përgjegjësinë që më është besuar dhe me dëshirën që puna e nisur të vijojë në shërbim të një sistemi penitenciar më të sigurt, më të drejtë dhe më njerëzor”, theksoi ai.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër