BE 1 600 masa sanksionuese ndaj industrisë ushtarake ruse, Kremlini akuzon Zelenskyn për zvarritjen e luftës

Nga D V
A+ A-
Rivendos

Luksemburg, 12 tetor, Zhurnal.mk – Ministrat e Jashtëm të Bashkimit Evropian kanë miratuar afro 1 600 masa të reja sanksionuese që synojnë kompleksin ushtarako-industrial rus, bëri të ditur përfaqësuesja e lartë e BE-së për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, Kaja Kallas.

“Ky është zgjerimi më i madh i listës sonë të sanksioneve që kur Rusia nisi luftën. Evropa po dëshmon edhe një herë se qëndron e bashkuar. Më shumë se gjysma e këtyre masave lidhen me zinxhirin e prodhimit të raketave balistike. Po e bëjmë ndjeshëm më të vështirë, më të ngadaltë dhe më të kushtueshëm për Rusinë prodhimin e armëve që ajo përdor për të vrarë ukrainasit”, theksoi Kallas.

Ndërkohë, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, deklaroi se “Volodymyr Zelensky nuk po tregon asnjë vullnet për t’i dhënë fund konfliktit dhe kjo është arsyeja përse presidenti amerikan Donald Trump thotë se Ukraina ka nevojë për një president të ri”.

Peskov i bëri këto komente për agjencinë ruse të lajmeve RIA Novosti.

“Trump ka thënë se beson se ka ardhur koha për një president të ri. Përse? Sepse presidenti ukrainas duhet të marrë vendime shumë të rëndësishme dhe shumë të vështira për t’i dhënë fund kësaj lufte. Ose Zelensky merr përsipër këtë përgjegjësi dhe dëshmon vullnet politik, ose nuk e bën këtë”, deklaroi Peskov.

Ndërkohë, ofensiva ruse vijon pa u ndalur. Pas disa sulmeve ruse gjatë natës, të cilat goditën infrastrukturën energjetike, janë regjistruar ndërprerje të energjisë elektrike në disa pjesë të Ukrainës.

Oleksandr Hanzha, kreu i administratës ushtarake rajonale të Dnipropetrovskut, deklaroi, sipas gazetës britanike “The Guardian”, se Rusia kishte sulmuar tri zona të rajonit “më shumë se 10 herë”, duke përdorur artileri dhe dronë.

Banorët e Iziumit, në juglindje të Harkivit, mbetën pa energji elektrike pas një sulmi rus që dëmtoi rrjetet e shpërndarjes së energjisë.

Ndërkohë, në rajonin e Zhytomirit, guvernatori raportoi sulme ndaj infrastrukturës hekurudhore dhe energjetike.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër