Afrim Gashi nga Tbilisi: Bashkëpunimi rajonal është kyç për stabilitetin dhe zhvillimin

Nga I.A
1,158 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 30 qershor, Zhurnal.mk – Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, po merr pjesë në 67. Asamblenë e Përgjithshme të Asamblesë Parlamentare të Organizatës për Bashkëpunim Ekonomik të Detit të Zi (PABSEK), që po mbahet më 30 qershor dhe 1 korrik në Tbilisi, Gjeorgji. Në fjalimin e tij para delegacioneve të vendeve anëtare, ai theksoi rëndësinë e bashkëpunimit rajonal, lidhjes ekonomike dhe integrimeve euroatlantike.

Gashi, në hapjen solemne, falënderoi nikoqirët dhe vlerësoi se rajoni i Detit të Zi paraqet një hapësirë të rëndësishme për zhvillimin e tregtisë, transportit dhe bashkëpunimit ndërkombëtar. Sipas tij, megjithëse rajoni ka potencial të madh ekonomik dhe kulturor, ai përballet me sfida të shumta që mund të kapërcehen vetëm përmes veprimit të përbashkët dhe solidaritetit.

Në fjalimin e tij, kryetari i Kuvendit theksoi nevojën për dialog gjithëpërfshirës dhe pjesëmarrje të barabartë të të gjithë partnerëve në krijimin e politikave rajonale. Ai porositi se Maqedonia e Veriut mbetet e përkushtuar fort ndaj anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe NATO, duke vlerësuar se ato janë garanci për siguri më të madhe, stabilitet dhe zhvillim ekonomik.

Gashi nënvizoi se, pavarësisht dallimeve mes shteteve të rajonit, ato ndajnë interesa të përbashkëta – paqen, zhvillimin ekonomik dhe një të ardhme më të mirë për qytetarët, veçanërisht për gjeneratat e reja.

Vizitë zyrtare bilaterale në Tbilisi

Përveç pjesëmarrjes në Asamblenë e Përgjithshme, Gashi po qëndron në një vizitë zyrtare bilaterale në Tbilisi, me ftesë të kryetarit të Parlamentit të Gjeorgjisë. Gjatë vizitës pritet takim mes dy kryetarëve të parlamenteve, ku do të diskutohet për sigurinë rajonale, diplomacinë parlamentare dhe mundësitë për thellimin e bashkëpunimit mes Maqedonisë së Veriut dhe Gjeorgjisë.

Roli i PABSEK

PABSEK është organizatë parlamentare ndërkombëtare e themeluar në vitin 1993, me qëllim të avancimit të bashkëpunimit mes parlamenteve të vendeve anëtare të Organizatës për Bashkëpunim Ekonomik të Detit të Zi. Maqedonia e Veriut është pjesëmarrëse aktive në punën e saj.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër