Prishtinë, 12 tetor, Zhurnal.mk – Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) ka mbajtur tryezë diskutimi me temën “Mediat dhe zgjedhjet: Kush po e formëson atë që votuesit po e shohin dhe po i besojnë?”, rapoton Ekonomia Online.
Në këtë tryezë, gazetari Kosovë Gjoci dhe kryetarja e Këshillit të Etikës në Maqedoninë e Veriut, Nora Kaliqi, kanë folur për proceset zgjedhore, rolin e mediave, ndikimin e rrjeteve sociale dhe rrezikun që paraqet dezinformimi për votuesit.
Gjoci ka thënë se vetëm brenda 18 muajve të fundit, Kosova ka pasur tri procese zgjedhore, ndërsa ka theksuar se fushatat, dezinformimi, roli i mediave dhe analistëve, si dhe ndikimi i rrjeteve sociale, kanë ndikuar në këto procese.
“Gjatë gjithë kësaj kohe, kam përcjellë shumë procese zgjedhore, siç mund ta dini. Vetëm brenda 18 muajve të fundit, kemi pasur tri procese zgjedhore.
Por, nëse flasim pak më gjerësisht për vitet e fundit, mendoj se kemi më shumë për të diskutuar, sidomos për këtë periudhë. I gjithë procesi zgjedhor, fushatat, dezinformimi, roli i mediave dhe analistëve, veçanërisht tek ne, si dhe ndikimi i rrjeteve sociale, kanë pasur efektin dhe ndikimin e tyre në këto procese.
Në përgjithësi, Kosova ka zhvilluar procese zgjedhore mjaft të mira ndër vite, veçanërisht nëse e krahasojmë me vendet e tjera të Ballkanit. Në këtë aspekt, kemi qenë mjaft mirë.
Megjithatë, më herët, për shembull, gjatë zgjedhjeve të vitit 2010, mbaj mend se kemi pasur një proces zgjedhor problematik. Në atë kohë, ishin mediat ato që, në njëfarë mënyre, u treguan njerëzve dhe votuesve se çfarë po ndodhte, sepse atëherë rrjetet sociale nuk përdoreshin aq shumë, sidomos për çështje të tilla”, ka thënë Gjoci.
Ndërkaq, Nora Kaliqi, kryetare e Këshillit të Etikës në Maqedoninë e Veriut, është përqendruar te monitorimi i bërë gjatë zgjedhjeve lokale të vitit të kaluar, duke folur për dezinformimin dhe ndikimin e tij në vendimmarrjen e qytetarëve.
“Në këtë fushë, nuk do ta përsëris atë që është thënë për Kosovën, por do të përqendrohem më shumë te monitorimi që kemi bërë vitin e kaluar lidhur me përpjekjet për anulimin e përmbajtjeve në media, gjatë zgjedhjeve lokale, si dhe te praktikat konkrete që kemi.
Do të filloj me një shembull. Paramendoni se sot, para zgjedhjeve, jeni duke shfletuar telefonin dhe dëgjoni një politikan në një bisedë me një gazetar, ku pretendohet se po manipulohet me votat. Një ditë më vonë, kur të vendosni të votoni, kuptoni se ajo bisedë ishte e manipuluar përmes dezinformimit. Një rast i tillë ka ndodhur në Sllovaki, gjatë zgjedhjeve të vitit 2023.
Kur i shfletojmë telefonat dhe shohim deklarata të politikanëve, ndonjëherë mund të zemërohemi, ta shpërndajmë atë përmbajtje dhe të komentojmë për të. Por, vetëm një ditë më vonë, mund të na duhet të marrim një vendim shumë të rëndësishëm për një shtet.
Prandaj, ndikimi ynë është shumë i madh, edhe nëse ndonjëherë ndihemi të parëndësishëm, sidomos kur flasim vazhdimisht për sfidat dhe problemet tona të përditshme. Dezinformimi nuk është thjesht një temë për të cilën flasim në teori, por një mënyrë konkrete përmes së cilës aktorët e fuqishëm mund të ndikojnë në vendet tona.
Vendet e Ballkanit janë të ndërlidhura me njëra-tjetrën. Për këtë arsye, dezinformimi që vjen nga qendra të fuqishme mund të përhapet lehtësisht, ndërsa platformat digjitale na mundësojnë ta shpërndajmë atë shumë shpejt”, ka thënë Kaliqi.
