Shkup, 23 janar – Koordinatorja e Frontit Evropian, pjesë e të cilit është edhe Bashkimi Demokratik për Integrim, Rina Ajdari në një deklaratë për TV21 tha se kanë vendosur që sot mos ta votojnë propozim ligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Kundërvajtje, ligj ky që duhet të hyjë në fuqi, që të mund të fillojë funksionimi i sistemi “Safe City” nga 1 shkurti. Ajdari tha se pavarësisht garancive nga koordinatori i grupit parlamentar të VMRO-DPMNE-së se do të merren parasysh vërejtjet e FE-së, “situata ishte e mjegullt”.
“Ne si grup parlamentar morëm vendimin, duke parë edhe presionin e qytetarëve, duke parë se ligji është anit-kushtetues, me vet faktin që implementohet vetëm në një pjesë të territorit të Maqedonisë së Veriut dhe të gjitha ato vërejtjet që i parashtrova edhe në pres konferencë, dhe morëm një vendim që mos të mbështesim Ligjin për Kundërvajtje, me të cilin do të finalizohet i ashtuquajturi projekti Safe City”, sepse le shumë për të dëshiruar dhe të gjitha ato garanc që ne praktikisht i morëm nga koordinatori i VMRO-DPMNE-së dhe dmth përfaqësues të MPB-së, nuk do të implementohen në ligj. Situata ishte e mjegullt dhe si rezultat i kësaj, vendosëm të mos e mbështesim. Në qoftë se do të ketë diçka tjetër brenda ditës, do të njoftojmë, por ne qëndrojmë si grup parlamentar në vendimin se Safe City, kështu siç është në këtë formë, është i dëmshëm realisht për qytetarët”, tha Ajdari për TV21.

