Shkup, 3 nëntor, Zhurnal.mk – Përplasjet rreth pronës së zjarrfikësve në Tetovë vazhdojnë të tensionojnë skenën politike dhe publike.
AKI e cilëson debatin e sotëm publik të Komunës si një farsë dhe teatër, duke ngritur dyshime për skema abuzimi dhe dëmtim të interesit publik. Përballë këtyre akuzave, kërkohet urgjentisht një revizion i pavarur ndërkombëtar.
“Kjo formë e debatit publik është vetëm farsë dhe teatër! Bilall Kasami don të arsyetohet se po konsulton qytetarët, ndërkohë që po përgatit t’u vjedhë pronën dhe paratë në mënyrën më të paturpshme. Pas kërcënimeve të raportuara ndaj kryetarit të degës së BDI-së në Tetovë, si mund të presim që një qytetar i zakonshëm të ngrihet e ta kundërshtojë dhe të shpreh shqetësimet për këtë projekt? Nuk ka kushte për debat të lirë kur pushteti tenton të frikësojë dhe intimidojë njerëzit si dhe shprehjen e pakënaqësive dhe mendimit të lirë! Andaj kërkojmë sa më shpejt dhe urgjentisht, revizion të plotë e të pavarur të studimit të fizibilitetit”, tha Berat Murati.
Nga VLEN kanë theksuar se këtë debat publik e kërkoi vetë BDI-ja, e cila ka kritikuar ndërtimin e objektit të ri për ndërmarrjet komunale në hapësirën e zjarrfikësve me partneritet publiko-privat.
Kryetari i Tetovës Bilall Kasami ishte gati të debatojë me opozitën lidhur me këtë projekt, por nuk gjeti bashkëbisedues në sallën e debatit.
Objekti i ri, që duhet të ndërtohet me partneritet publiko-privat, i siguron komunës hapësira moderne dhe kushte dinjitoze pune për punonjësit e ndërmarrjeve komunale. Zjarrfikësit, NPK-ja, Sharri, Transporti dhe ndërmarrjet tjera prej vitesh përballen me kushte mizore dhe mungesë infrastrukture.
