Shkup, 13 gusht, Zhurnal.mk – Prokuroria Themelore Publike e Shkupit, disa ditë para skadimit të arrestit shtëpiak gjashtëmujor të ish-zëvendëskryeministri i parë, Artan Grubit, ka ngritur aktakuzë kundër tij dhe 7 personave për veprën penale “Keqpërdorim i pozitës dhe autorizimit zyrtar” në rastin e njohur si “Lotaria Shtetërore”. Ndër të akuzuarit është ish-drejtori i Lotarisë Shtetërore, Perparim Bajrami.
Sipas aktakuzës, gjatë viteve 2023-2024, të akuzuarit kanë vepruar së bashku duke tejkaluar kompetencat e tyre dhe i kanë shkaktuar dëm Lotarisë Shtetërore në vlerë prej rreth 507,6 milionë denarë (rreth 8,2 milionë euro).
Ata kanë dijeni se Lotaria Shtetërore nuk kishte të drejtë të organizonte lojëra elektronike në terminalet e videolotarisë, pasi këtë të drejtë e kishte investuar që në vitin 2013 si kontribut jo-monetar në kompaninë e përbashkët me Casinos Austria. Pavarësisht kësaj, ata kanë ndërmarrë procedura për të nisur organizimin e pavarur të këtyre lojërave dhe për të blerë terminale, duke shkaktuar dëmin e lartpërmendur.
Në ndërkohë, BDI nëpërmjet një reagimi ka shprehur shqetësim serioz për ngritjen e një aktakuze politike për përgjegjësi individuale që buron nga një vendim kolektiv.
“Pas dy vitesh hetim, opinioni meriton të dijë mbi cilat prova dhe argumente konkrete mbështetet një akuzë e tillë. Ne respektojmë pavarësinë e institucioneve të drejtësisë, por njëkohësisht kërkojmë drejtësi të barabartë dhe joselektive. Vendimet kolektive nuk mund të shndërrohen në instrument për përgjegjësi selektive dhe përndjekje politike individuale”, thuhet në reagimin e BDI-së.
Pikërisht për këtë arsye, vijon më tej reagimi, kërkojmë transparencë të plotë të procesit, në mënyrë që opinioni, mediat dhe ekspertët të mund të njihen me çdo pretendim, provë dhe argument të palëve.
“BDI kërkon gjithashtu mbikëqyrje ndërkombëtare të hapur dhe transparente të këtij rasti. Nuk kërkojmë privilegj për askënd, por vetëm zbatim të barabartë të ligjit, proces të drejtë dhe drejtësi të pandikuar nga politika. Asnjë dëshmi, asnjë provë dhe asnjë fakt nuk e bën të bazuar këtë akuzë”.
