Akull me baktere, i prodhuar në kushte johigjienike dhe i shitur prej vitesh

Nga Xh M
5 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Radovish, 26 shtator Zhurnal.mk – Policia ka ngritur kallëzim penal ndaj dy banorëve të Radovishit, të cilët në mënyrë të paautorizuar dhe në kushte johigjienike prodhonin akull, ku është konstatuar prania e baktereve. Ujin për prodhim e siguronin përmes një lidhjeje ilegale me rrjetin e ujësjellësit.

SPB Strumicë–NJPP Radovish, pranë Prokurorisë Themelore Publike në Radovish, ka paraqitur kallëzim penal ndaj T.D. (62) dhe S.D. (62), të dy nga Radovishi, për shkak të dyshimit të bazuar se kanë kryer në vazhdimësi veprën penale “prodhimi dhe nxjerrja në qarkullim e produkteve të dëmshme ushqimore dhe produkteve të tjera”, sipas nenit 213 të Kodit Penal.

Të kallëzuarit, prej disa vitesh, si prodhues të paregjistruar të akullit, kanë prodhuar akull në kushte të improvizuara dhe johigjienike dhe, në këtë mënyrë, e kanë nxjerrë në mënyrë të pasigurt në qarkullim, duke ua shitur personave të tjerë juridikë dhe fizikë.

Më 16.09.2026, në bazë të një urdhri gjyqësor, zyrtarë policorë nga SPB Strumicë–NJPP Radovish, në koordinim me një inspektor shtetëror të ushqimit nga Agjencia për Ushqim dhe Veterinari, kanë kryer kontrolle në banesë dhe ambiente të tjera, në katër lokacione që i përdornin të kallëzuarit, njoftoi sot policia.

Sipas MPB-së, në tarracën në pjesën përdhese të shtëpisë ku jetonin, janë gjetur ngrirëse në të cilat kishte një numër të madh qesesh me kuba akulli. Akulli ishte ruajtur dhe lënë nga të kallëzuarit për shitje në formën e vetëshërbimit, ndërsa paratë nga shitja liheshin në një kuti të veçantë.

Ndërkaq, në ambientet e bodrumit të shtëpisë janë gjetur katër makina për prodhimin e akullit në kube, si dhe një frigorifer-ngrirës tjetër, në të cilin kishte një sasi të madhe kubash akulli, të paketuara në qese për shitje.

Me udhëzim të inspektorit shtetëror, një ekip specialistësh nga një laborator i akredituar për analizimin e ushqimit dhe ujit ka marrë mostra të ujit që përdorej si lëndë e parë për prodhimin e akullit, të produktit të gatshëm – akullit nga qeset e tre ngrirëseve – si dhe mostra nga pajisjet për prodhimin e akullit.

Nga raporti i marrë pas analizave mikrobiologjike dhe kimike të ujit është konstatuar se vetëm uji i përdorur përputhej me parametrat e kërkuar, në përputhje me Rregulloren për kërkesat për sigurinë dhe cilësinë e ujit të pijshëm. Të gjitha mostrat e tjera të marra për analizë nuk përputheshin me parametrat e kërkuar dhe në këto mostra është konfirmuar prania e bakterit Escherichia coli dhe baktereve koliforme. Me këtë është dëshmuar se akulli ishte i pasigurt për përdorim dhe i dëmshëm për shëndetin e njerëzve, për shkak të kontaminimit me baktere me origjinë fekale.

Pas marrjes së rezultateve, Agjencia për Ushqim dhe Veterinari ka vulosur dhe sekuestruar makinat e akullit dhe ngrirëset me akullin e gatshëm, me peshë prej rreth 850 kilogramësh, sqarojnë autoritetet policore.

Gjatë kontrolleve është konstatuar gjithashtu se prodhimi i akullit bëhej përmes tubacioneve të ujit të vendosura në disa pika, ndërsa punonjësit e ndërmarrjes publike “Plavaja” në Radovish kanë konstatuar se uji që përdorej në pjesën e bodrumit nuk mathej përmes ujëmatësit.

Gjithashtu, gjatë kontrollit në objektin e të kallëzuarve, në vendin e quajtur “Gladno Pole”, në territorin e Radovishit, për të cilin është konstatuar se ishte ndërtuar pa leje, është gjetur dhe sekuestruar edhe një pushkë ajrore, të cilën e posedonin pa dokumentacionin përkatës.

Pas dokumentimit të plotë të rasteve lidhur me objektin e ndërtuar pa leje dhe pushkën e sekuestruar, SPB Strumicë–NJPP Radovish do të paraqesin kallëzimet përkatëse.

Të dy personat janë privuar nga liria dhe janë mbajtur në Stacionin Policor në Radovish.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër