Tetovë, 18 nënstor, Zhurnal.mk – Nënkryetari i Tetovës, Albi Qamili, ka dalë me një bilanc për vitin e parë të punës. Në një paraqitje me video tha se është përfunduar afro 30 për qind e programit të premtuar para një viti.
“Realizuam 43 projekte rrugore dhe mbi 34 kilometra rrugë”, tha Qamili.
Sipas tij, rruga nga Reçica e Madhe deri te autostrada është gati. Asfalt i ri ka arritur në Saraqinë, Shipkovicë, Llacë, Xhepçisht dhe në rrugën për Sellcë. Është ndërhyrë edhe në bulevardin “V. S. Bato”, ndërsa qarkorja Lisec – Kodra e Diellit përurohet së shpejti.
Në infrastrukturën e ujit, thuhet se janë vendosur mbi 7 kilometra rrjet uji dhe ujëmatës digjitalë. Po ndërtohen edhe tre kanale të mëdha kundër përmbytjeve, në lagjen Dardania, te “V. S. Bato” dhe te Teteksi.
Për arsimin dhe familjet, Qamili tha se premtimi për 100 euro për çdo fëmijë që nis klasën e parë është realizuar që në vitin e parë. Mbi 150 nxënës mësojnë falas programim dhe inteligjencë artificiale, ndërsa mbi 300 marrin falas ndihmë nga psikologë dhe pedagogë. Po ndërtohen dy shkolla të mesme dhe dy pishina shkollore.
Në transport, është hapur një linjë e re publike plotësisht falas për Veshallën, Bozovcën dhe Brodecin. “Së shpejti po e bëjmë transportin publik falas edhe për studentët, lajm i madh për ta”, tha ai. Për qytetarët e tjerë mbetet falas nëse nuk kanë borxhe ndaj komunës. Janë hapur 374 vende të reja parkimi dhe parkingu te “Vero” është kthyer te komuna.
Qamili tha gjithashtu se po ndërtohet Stadiumi i ri i Tetovës, “simboli i ardhshëm i qytetit tonë”.
Sipas tij, e gjithë kjo është bërë duke eliminuar borxhet në përmbarues, që kanë mbetur vetëm rreth 2 milionë euro dhe do të shlyhen së shpejti. Ai e mbylli duke thënë se “Kapitulli i Dytë” vazhdon fuqishëm, deri në fund.

