Shkup,, 2 tetor, Zhurnal.mk – Vizita e sotme e presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, në Shkup edhe më qartë e konfirmoi atë që Aleanca për Shqiptarët e kishte thënë para ardhjes së saj. Momenti duhet të shfrytëzohet dhe vendi duhet të ecë përpara, njoftuan nga partia.
“Mesazhi i sotëm nga Brukseli ishte i qartë dhe konkret. Për hapjen e klasterit të parë të negociatave mbetet edhe një hap kyç – debllokimi i procesit të integrimit evropian përmes ndryshimeve kushtetuese, dhe pas debllokimit të procesit vendi do ta marrë edhe planin e veprimit për fazën e ardhshme. Pra, zgjidhja ekziston. Ajo që mungon është vetëm vullneti politik. Në të njëjtën kohë, vendet fqinje po përparojnë, hapin dhe mbyllin kapituj dhe vendosin afate gjithnjë e më konkrete për rrugën e tyre evropiane. Procesi i zgjerimit është në lëvizje dhe Maqedonia e Veriut nuk duhet të mbetet jashtë këtij momentumi”, thanë nga Aleanca për Shqiptarët.
Partia vlerëson se pas vizitës së sotme nuk ka më hapësirë për humbje të re kohe.
“Dialogu duhet të vazhdojë, çështjet e hapura duhet të zgjidhen, ndërsa detyrimet e marra duhet të trajtohen me përgjegjësi politike dhe institucionale. Pozitive është që dialogu me vendet fqinje vazhdon. Por dialogu duhet të prodhojë rezultate, jo cikël të ri pritjeje. Qytetarët e këtij vendi kanë pritur mjaftueshëm. Nëse pas debllokimit na pret plan i qartë veprimi dhe fazë e re e negociatave, atëherë prioritet duhet të jetë pikërisht debllokimi i procesit. Maqedonisë së Veriut nuk i duhet edhe një vit i humbur. I duhen vendime, reforma dhe perspektivë evropiane që më në fund do të shndërrohet në proces real. Evropa po lëviz. Rajoni po lëviz. Është koha të lëvizim edhe ne”, thanë nga Aleanca për Shqiptarët.
