Janev nga Prilepi: Miti për të paprekshmit ra, janë dorëzuar kallëzime kundër 21 personave pas aksionit të madh kundër drogës dhe krimit

Nga I.A
A+ A-
Rivendos

Shkup, 2 tetor, Zhurnal.mk – Drejtori i Byrosë për Siguri Publike, Aleksandar Janev, sot vizitoi Departamentin për Punë të Brendshme në Prilep, pas operacionit të madh policor të zhvilluar dy ditë më parë, në të cilin u shua një grup kriminal i organizuar i përfshirë në tregti të ndaluar me drogë dhe krim ekonomik.

Janev mbajti takim pune me drejtuesit e policisë në Prilep dhe me pjesë të shërbimit policor që për më shumë se një vit punuan në hetimin dhe realizimin e operacionit. Në takim u analizuan aktivitetet e ndërmarra dhe rezultatet, si dhe hapat e ardhshëm për ruajtjen e sigurisë dhe parandalimin e krijimit dhe forcimit të strukturave kriminale.

Në deklaratën për mediat, drejtori informoi se në kuadër të operacionit janë kryer kontrolle në 36 lokacione, ndërsa një aktivitet shtesë është realizuar dje në një kasafortë bankare, ku janë gjetur mbi 50.000 euro. Nga gjithsej 37 lokacione, katër kontrolle janë kryer te punonjës policorë të punësuar në OVR Prilep. Në kuadër të aksionit janë gjetur dhe sekuestruar edhe automjete.

“Të gjithë jemi dëshmitarë se u zhvillua një operacion i madh, i ndërlikuar dhe kompleks, i cili nuk ishte operacion ad hoc që duhej vetëm të zbatohej dhe të iknim, por operacion dhe hetim që kërkonte shumë punë të përkushtuar, afatgjatë, këmbëngulëse dhe mbi të gjitha punë të ndershme. Koleget që janë pranë meje dhe pas meje kanë shumë netë të pagjumta në një periudhë të gjatë”, theksoi Janev.

Ai informoi se në Prokurorinë Publike për ndjekjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit është dorëzuar kallëzim penal kundër 21 personave, ndërsa gjykata në Shkup ka caktuar masa sigurie për të gjithë të përfshirët.

Janev theksoi se operacioni ishte rezultat i një hetimi afatgjatë, mbledhjes së provave dhe analizave, ndërsa aktivitetet janë zhvilluar jo vetëm në Prilep, por edhe në Shkup dhe Strugë.

“Ajo që është më e rëndësishme për mua si njeriu i parë i Byrosë për Siguri Publike dhe për të gjithë kolegët, është që qytetarët të dinë se miti për të paprekshmit në Prilep më në fund ra. Kjo është detyra jonë, misioni ynë – që askush të mos mund të fshihet pas lidhjeve, kontakteve apo njohjeve të caktuara dhe të bëhet i paprekshëm”, porositi drejtori i BJB.

Ai shprehu falënderim për shërbimet policore nga Departamenti për shuarjen e krimit të organizuar dhe serioz, SVR Bitola, OVR Prilep, shërbimet speciale policore pranë BJB, si dhe për të gjitha institucionet që morën pjesë në realizimin e operacionit.

Janev theksoi se përfundimi i suksesshëm i operacionit nuk do të thotë edhe fund i aktiviteteve policore në Prilep. Hetimi vazhdon, ndërsa fokus i veçantë do të vendoset në praninë e përditshme dhe të dukshme të policisë në terren dhe në forcimin e bashkëpunimit me qytetarët.

“Nga sot e tutje pason pjesa më e vështirë. Ajo për të cilën ishim këtu e përfunduam, e zbatuam. Mirëpo, hetimi do të vazhdojë edhe më tej. Ajo që është më e rëndësishme për policinë lokale është çfarë pason më tej. Dhe më tej do të thotë – çdo ditë do të jemi të pranishëm me qytetarët, policia do të jetë edhe më e dukshme”, theksoi Janev.

Drejtori bëri apel te qytetarët të mos jenë dëshmitarë të heshtur të krimit, por të raportojnë dhe të bashkëpunojnë me policinë, duke theksuar se besimi ndërtohet me punë profesionale të përditshme, prani dhe rezultate konkrete.

“Kur institucionet punojmë së bashku, kur ndajmë informacione, kur i ndërtojmë ekipet dhe kur punojmë ndershëm, rezultatet vijnë vetvetiu”, porositi Janev.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër