Shkup, 3 janar – Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, përmes një postimi në profilin e tij në Facebook, shprehu mbështetjen e plotë për aksionin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për arrestimin e udhëheqësit të Venezuelës, Presidentit Nicolás Maduro, duke theksuar rëndësinë e angazhimit të SHBA-së përballë regjimeve autoritare dhe strukturave kriminale që kërcënojnë lirinë dhe demokracinë.
Në postimin e tij, Ahmeti shkruan se:
“Mbështetja jonë e palëkundur ndaj aleatit tonë strategjik, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ka qenë dhe mbetet zgjedhje e qartë dhe e drejtë. Mbështes lidershipin e Presidentit Donald Trump dhe angazhimin e SHBA-së përballë regjimeve autoritare dhe strukturave kriminale që kërcënojnë lirinë, demokracinë dhe sigurinë globale.”
Ai shtoi se qëndrimi i fortë ndaj krimit të organizuar dhe narkoliderëve është një mbrojtje jo vetëm për Amerikën, por edhe për paqen dhe stabilitetin ndërkombëtar. Ahmeti theksoi se popujt meritojnë të jetojnë të lirë, me institucione demokratike dhe sundim të ligjit, dhe se partneriteti transatlantik bëhet më i fortë kur bazohet në vlera të përbashkëta dhe qëndrim të bashkuar përballë tiranisë.
“Kur Amerika qëndron e fortë, qëndrojmë të fortë së bashku,” përfundoi Ahmeti.
Ky postim vjen si një konfirmim i qëndrimit të partisë dhe i angazhimit të saj për mbështetje të aleatit strategjik, SHBA-së, dhe për promovimin e lirisë dhe demokracisë në botë.
