Shkup, 3 nëntor, Zhurnal.mk – Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, ka përgëzuar publikisht z. Nik Gjeloshaj për zgjedhjen e tij në krye të Forumit Shqiptar në Mal të Zi. Përmes një postimi në rrjetet sociale, Ahmeti ka vlerësuar lart bashkimin e forcave politike shqiptare në një subjekt të vetëm, duke e cilësuar atë si një hap historik dhe kombëtar.
“Historia na ka mësuar se sa herë shqiptarët kanë ditur të qëndrojnë bashkë, të kapërcejnë dallimet dhe të veprojnë me një vullnet të përbashkët, kanë shënuar kthesa të rëndësishme në rrugëtimin e tyre kombëtar,” ka shkruar Ahmeti në mesazhin e tij urues drejtuar Gjeloshajt.
Ai ka theksuar se ky unifikim politik përbën një dëshmi të pjekurisë, vizionit dhe përgjegjësisë ndaj interesit të përbashkët të shqiptarëve në Mal të Zi. Sipas Ahmetit, ky mision duhet të sjellë rezultate konkrete në forcimin e përfaqësimit, mbrojtjen e të drejtave dhe ruajtjen e identitetit kombëtar.
“Bashkimi nuk është vetëm një akt politik, por një amanet historik, që merr kuptim kur shndërrohet në veprim dhe rezultate për brezat e ardhshëm,” u shpreh ai, duke uruar që Forumi Shqiptar të shndërrohet në simbol të unitetit, dinjitetit dhe një të ardhmeje më të mirë.
