Aliu viziton zonat e përmbytura në Dardani dhe Zllatar, premton mbështetje për familjet dhe bizneset e prekura

Nga D. V.
483 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Prishtinë, 02 korrik, Zhurnal.mk – Kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu, ka vizituar zonat e prekura nga vërshimet në fshatrat Dardani dhe Zllatar, pas reshjeve të dendura të shiut që shkaktuan dëme në infrastrukturë, ekonomi familjare dhe bujqësi.

Në këtë vizitë, Aliu u shoqërua nga drejtori i Shërbimeve Publike dhe Emergjencës, Alberton Sahiti, drejtori i Bujqësisë, Burim Bajrami, drejtori i Infrastrukturës, Meriton Hajdini, si dhe përfaqësues të fshatrave të prekura.

Sipas njoftimit të Komunës së Ferizajt, gjatë vizitës janë evidentuar dëme të konsiderueshme në disa sektorë, si pasojë e vërshimeve të shkaktuara nga reshjet e fundit.

“Kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu, bashkë me drejtorët komunalë dhe kryetarët e fshatrave, vizituan zonat e përmbytura nga reshjet e dendura të shiut në fshatrat Zllatar dhe Dardani”, thuhet në njoftim.

Komuna ka bërë të ditur se dëmet e shkaktuara përfshijnë infrastrukturën publike, ekonomitë familjare dhe kulturat bujqësore.

“Dëmet janë evidente dhe ato shtrihen që nga infrastruktura publike, dëmet në ekonomi familjare e kultura bujqësore, dëme këto për të cilat Komuna do të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme dhe sipas mundësive të saj për të mbështetur këto familje dhe biznese”, thuhet më tej në njoftimin e Komunës së Ferizajt.

Autoritetet komunale kanë bërë të ditur se do të vazhdojnë vlerësimin e dëmeve dhe ndërmarrjen e masave për tejkalimin e situatës së krijuar nga vërshimet.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër