Ambasada e Kosovës në Abu Dhabi me njoftim të ri për kosovarët e bllokuar në Emirate

Nga D. V.
336 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Ambasada e Republikës së Kosovës në Abu Dhabi ka njoftuar se është në komunikim të vazhdueshëm me autoritetet e Emirateve të Bashkuara Arabe dhe institucionet në Kosovë për të shqyrtuar mundësinë e evakuimit të qytetarëve kosovarë, në rast të vazhdimit të bllokadës së hapësirës ajrore.

Ambasada u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve të Kosovës që ndodhen në territorin e Emirateve – si vizitorë të bllokuar ashtu edhe rezidentë – që të paraqiten pranë përfaqësisë diplomatike nëse nuk e kanë bërë tashmë këtë.

“Ambasada e Republikës së Kosovës në Abu Dhabi njofton të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës – vizitorë të bllokuar dhe rezidentë – se është në komunikim të vazhdueshëm me autoritetet e vendit pritës, me institucionet shtetërore në Kosovë, si dhe me Ambasadën tonë në Riad, për të shqyrtuar mundësinë më të shpejtë dhe më të sigurt në rastin e evakuimit të qytetarëve tanë”, thuhet në njoftimin e saj në Facebook.

Qytetarët që ndodhen në Emiratet e Bashkuara Arabe dhe nuk janë regjistruar ende, janë ftuar të kontaktojnë Ambasadën përmes emailit embassy.uae@rks-gov.net ose në numrin e telefonit/WhatsApp +971 54 709 2109, duke dërguar të dhënat personale sipas dokumentit të udhëtimit dhe qytetin ku ndodhen.

Sipas Ambasadës, regjistrimi është i domosdoshëm për procedimin e kërkesave në rast të evakuimit, përfshirë pajisjen me leje kalimi urgjente në kufirin e Arabisë Saudite.

“Kjo është e domosdoshme në mënyrë që kërkesat tuaja në rastin e evakuimit të mund të procedohen për pajisje me leje kalimi urgjente në kufirin e Mbretërisë së Arabisë Saudite, procedurë e cila realizohet nga Ambasada jonë në Abu Dhabi për të gjithë qytetarët tanë që gjenden në Emirate, në koordinim me Ambasadën e Republikës së Kosovës në Riad – Arabi Saudite”, theksohet më tej.

Ambasada ka bërë të ditur se, në rast të krijimit të kushteve për evakuim emergjent të organizuar, në koordinim me autoritetet e Emirateve të Bashkuara Arabe, institucionet e Kosovës dhe autoritetet saudite, qytetarët do të njoftohen menjëherë për fluturimet e mundshme nga aeroportet si Jeddah ose Riyadh.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër