Anija turistike ngec në Danub, 238 persona evakuohen pas uljes së nivelit të lumit në Bullgari

Nga Xh M
666 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Sofje, 28 korrik Zhurnal.mk – Një anije turistike me 238 persona në bord ka ngecur në lumin Danub pranë qytetit të Vidinit në Bullgari, për shkak të nivelit të ulët të ujit.

Ministria e Brendshme bullgare njoftoi se 186 pasagjerë dhe 52 anëtarë të ekuipazhit u evakuuan në mënyrë të sigurt nga ekipet e rojes kufitare.

Anija “Viking Ullur”, me flamur zviceran, mbeti e bllokuar rreth orës 02:20 të mëngjesit, rreth 25 kilometra larg Vidinit. Sipas autoriteteve, incidenti ndodhi gjatë natës, kur dukshmëria ishte e kufizuar, ndërsa shkak kryesor dyshohet të ketë qenë niveli i pazakontë i ulët i Danubit.

Për arsye sigurie, pasagjerët u transferuan me mjete lundruese të rojës kufitare. Kompania që operon anijen kishte tentuar të sillte një tjetër varkë për transportin e tyre, por ajo nuk arriti të afrohej pranë mjetit të bllokuar.

“Viking Ullur” ishte duke lundruar në itinerarin Budapest–Rumani dhe mbante turistë nga vende të ndryshme të Bashkimit Evropian. Anija pritej të ndalonte në portin e Vidinit për furnizim me karburant, ndërsa sipas burimeve, rezervat e ujit të pijshëm po shkonin drejt përfundimit.

Pamjet e publikuara nga policia bullgare tregojnë pasagjerë me jelekë shpëtimi teksa ndihmohen të hipin në varkat e shpëtimit. Incidenti vjen në një periudhë kur Europa po përballet me temperatura të larta dhe thatësirë, duke shkaktuar rënie të ndjeshme të nivelit të Danubit, një prej lumenjve më të rëndësishëm të kontinentit, që përshkon dhjetë vende evropiane.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër