Papunësia në rënie, por punësimi mbetet sfidë për të moshuarit

Nga Xh M
624 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 28 korrik Zhurnal.mk – Numri i personave të regjistruar si të papunë në Agjencinë e Punësimit të Maqedonisë së Veriut vazhdon të shënojë rënie gjatë vitit 2026. Sipas të dhënave zyrtare, në janar ishin të regjistruar 90.214 persona të papunë, ndërsa në shkurt ky numër u ul në 89.340. Rënia vazhdoi edhe në mars me 88.661 të papunë, në prill me 87.621 dhe në maj arriti në 86.116 persona.

Në rënie është edhe numri i qytetarëve të regjistruar si kërkues të tjerë të punës. Nga 42.917 persona në janar, ky numër zbriti në 41.332 në muajin maj.

Megjithatë, pavarësisht trendit pozitiv, të dhënat tregojnë se sfidat për punësim mbeten të mëdha për personat që kanë qenë të papunë për një periudhë të gjatë dhe për qytetarët e moshës më të avancuar.

Grupi më i madh i të papunëve përbëhet nga personat që kërkojnë punë prej pesë deri në shtatë vjet, me gjithsej 22.122 persona. Pas tyre renditen ata që janë në kërkim të një vendi pune për tetë vjet ose më shumë, me 12.905 persona, ndërsa në vendin e tretë janë qytetarët që kanë mbetur pa punë së fundmi, përkatësisht ata që kërkojnë punë prej një deri në pesë muajsh, me 11.619 persona.

Të dhënat e Agjencisë së Punësimit tregojnë se, ndonëse papunësia është në rënie, punësimi i të papunëve afatgjatë dhe i personave më të moshuar mbetet një nga sfidat kryesore në tregun e punës në Maqedoninë e Veriut.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër