Tiranë, 17 gusht, Zhurnal.mk – Policia e Shtetit finalizoi me sukses operacionin policor të koduar “Fundi i Arratisë”, duke bërë të mundur arrestimin në Krujë të shtetasit Ylli Zalla, i cili konsiderohej person me rrezikshmëri të lartë shoqërore.
Përmes një reagimi, ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari, përgëzoi strukturat e Policisë së Shtetit për finalizimin me sukses të operacionit.
“Përgëzime Policisë së Shtetit për finalizimin me sukses të operacionit policor “Fundi i Arratisë”, për kapjen e një personi shumë të kërkuar dhe me rrezikshmëri të lartë shoqërore”, shkruan ministri.
Sipas tij, operacioni u zhvillua nga Forcat Speciale RENEA, Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale, strukturat operacionale të DVP Tiranë dhe Komisariati i Policisë Krujë.
“Gjatë operacionit, në Krujë, u kap personi shumë i kërkuar Ylli Zalla, i cili i shmangej drejtësisë dhe tashmë është arrestuar nga Policia e Shtetit”, theksoi Lamallari, i cili ndau në rrjetet sociale edhe pamje nga momenti i arrestimit.
