Arrestohet në Evzoni 46-vjeçari nga Maqedonia, Italia e kërkonte për 35 kg kokainë

Nga D V
A+ A-
Rivendos

Shkup, 22 shtator, Zhurnal.mk – Një shtetas 46-vjeçar i Maqedonisë së Veriut është arrestuar në Greqi, pasi ndaj tij autoritetet italiane kishin lëshuar urdhërarrest evropian për një rast të lidhur me trafikimin e kokainës.

Sipas mediave greke, arrestimi është kryer të shtunën nga policia në Polikastro, pasi 46-vjeçari kishte hyrë në territorin grek përmes pikës kufitare Evzoni.

Autoritetet italiane kërkojnë ekstradimin e tij me qëllim që ai ta vuajë dënimin me burg që i është shqiptuar për trafikimin e 35 kilogramëve kokainë.

Rasti daton nga viti 2007. Sipas të dhënave të përfshira në urdhërarrest, droga ishte transportuar përmes Spanjës, ndërsa destinacioni përfundimtar kishte qenë Napoli i Italisë.

I arrestuari pritet të paraqitet para Prokurorisë kompetente në Selanik, pas së cilës do të nisë procedura për ekstradimin e tij drejt Italisë.

artikuj të ndërlidhura