Sarajevë, 17 maj Zhurnal.mk – Në Aeroportin e Sarajevës është arrestuar Anas Hamadi, biznesmen me origjinë nga Libani dhe me pasaportë të Republikës Dominikane, i cili lidhet me projektin luksoz “Gulfland Residence Sarajevo” në Bosnje dhe Hercegovinë.
Sipas mediave boshnjake, Hamadi u arrestua në bazë të një urdhër-arresti ndërkombëtar të lëshuar nga autoritetet gjermane. Prokuroria e Berlinit e dyshon atë dhe vëllain e tij, Nidal Hamadi, për trafikim të sasive të mëdha të kokainës dhe pastrim të parave të fituara nga shitja e drogës gjatë viteve 2011 dhe 2012.
Pas periudhës në Berlin, Anas Hamadi ishte zhvendosur në Dubai, ku në vitin 2014 bashkëthemeloi kompaninë “Gulfland”, e specializuar në ndërtimin e vilave luksoze dhe rezidencave elitare. Kompania operon në Emiratet e Bashkuara Arabe, Portugali, Itali dhe Bosnje e Hercegovinë, ndërsa disa projekte i ka realizuar në bashkëpunim me markën “Tonino Lamborghini Residences”.
Në Bosnje dhe Hercegovinë, kompania “Gulf Land Property Developers” është regjistruar në Sarajevë në fund të vitit 2023. Projekti i tyre më i njohur është ndërtimi i kompleksit luksoz në lagjen Hrasno, ndërsa përfundimi i punimeve është paralajmëruar për vitin 2027.
Autoritetet gjermane po kërkojnë ekstradimin e Hamadit, ndërsa hetimet ndaj rrjetit të dyshuar për trafik droge dhe pastrim parash vazhdojnë.
