220 motoristë pritet të parakalojnë në rrugët e Shkupit, në mision humanitar për shëndetin e burrave

Nga Xh M
767 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 17 maj Zhurnal.mk – Ngjarja më e madhe globale humanitare për motoristë, “The Distinguished Gentleman’s Ride”, këtë vit shënon edicionin e saj të 11-të në Shkup, si pjesë e lëvizjes botërore që bashkon adhuruesit e motoçikletave klasike dhe stilit elegant me qëllim ngritjen e vetëdijes për shëndetin e burrave.

Sipas organizatorëve, sot pritet që në rrugët e kryeqytetit të parakalojnë më shumë se 220 motoristë të “veshur me stil” me motoçikletat e tyre klasike, duke i dhënë aktivitetit sharmin dhe atraksionin e tij të veçantë vizual.

Ngjarja, që organizohet në Shkup që nga viti 2016, është pjesë e një iniciative globale që deri më tani ka mbledhur mbi 60.5 milionë dollarë për luftën kundër kancerit të prostatës dhe ngritjen e vetëdijes për shëndetin mendor të burrave. Në këtë lëvizje kanë marrë pjesë mbi 340 mijë persona në më shumë se 121 shtete dhe 1.070 qytete në mbarë botën. Edicioni i Shkupit deri më tani ka kontribuar me mbi 24 mijë dollarë.

Motoçikletat elegante dhe paraqitja e veçantë e pjesëmarrësve mbeten simboli dallues i këtij eventi edhe këtë vit, duke promovuar qëllimet kryesore të aktivitetit – ngritjen e vetëdijes te popullata mashkullore dhe grumbullimin e mjeteve për përballjen me sfida serioze shëndetësore dhe shoqërore.

Nga “Gentleman’s Crew Skopje”, organizator i ngjarjes, shprehën mirënjohje për pjesëmarrësit, partnerët dhe miqtë, të cilët, siç theksojnë, kontribuojnë që “The Distinguished Gentleman’s Ride – Skopje” çdo vit të tejkalojë rezultatet e mëparshme.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër