Arrestohet një i dyshuar për spiunazh në favor të Rusisë

Nga D. V.
438 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Berlin, 29 prill, Zhurnal.mk –Një person i dyshuar për spiunazh në favor të Rusisë që prej majit 2025 është arrestuar në Berlin, njoftuan sot prokurorët federalë gjermanë.

Sipas autoriteteve, shtetasi nga Kazakistani kishte kontakte me shërbimet sekrete ruse.

Ai dyshohet se ka transmetuar informacione mbi mbështetjen ushtarake të Gjermanisë për Ukrainën, si dhe mbi industrinë gjermane të armëve dhe mbrojtjes.

Hetimet tregojnë se informacionet e dërguara fokusoheshin veçanërisht te kompanitë që zhvillojnë dronë dhe robotë.

I dyshuari akuzohet gjithashtu se ka dërguar vazhdimisht fotografi të ndërtesave publike në Berlin dhe të autokolonave ushtarake në autostrada, përfshirë një “autokolonë të një shteti të NATO-s”.

Ai dyshohet se ka informuar kontaktin e tij në shërbimin inteligjent rus për objektiva të mundshëm sabotimi në Gjermani dhe se ka ofruar të rekrutojë persona për një njësi sabotimi dhe spiunazhi.

Personi në fjalë u arrestua të martën në kryeqytetin gjerman.

Ai pritet të dalë sot  para një gjykatësi në Gjykatën Federale të Drejtësisë, i cili do t’i komunikojë urdhërarrestin dhe do të vendosë nëse do të lihet në paraburgim.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër