Marrëveshja me Italinë, Shqipëria prodhuese dhe eksportuese e anijeve luftarake

Nga D. V.
369 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 29 prill, Zhurnal.mk – Në kantierin e Pashalimanit do të nisë prodhimi i anijeve lundruese që do të përdoren nga ushtria shqiptare, por edhe nga vendet aleate.

Ky hap strategjik për modernizimin e Forcave tona të Armatosura dhe zhvillimin e industrisë vendase të mbrojtjes u finalizua sot, me nënshkrimin e një marrëveshjeje të rëndësishme bashkëpunimi me Italinë.

Shoqëria “Kayo” sh.a., e cila operon në industrinë e mbrojtjes dhe sigurisë, me produkte dhe shërbime për Forcat e Armatosura të Shqipërisë dhe tregjet ndërkombëtare, nënshkroi një marrëveshje bashkëpunimi me kompaninë italiane “Fincantieri”, aktualisht ndërtuesi më i madh i anijeve tregtare dhe ushtarake në Evropë.

Ky partneritet i hap rrugë prodhimit në Shqipëri të mjeteve lundruese detare, jo vetëm për nevojat e vendit, por edhe për eksport në tregjet ndërkombëtare.

Në ceremoninë e nënshkrimit ishte i pranishëm Kryeministri Edi Rama, së bashku me ministrin e Mbrojtjes, Ermal Nufi, presidentin e “Fincantieri”-t, Pierroberto Folgiero, si dhe përfaqësues të lartë të kësaj industrie.

Në fjalën e mbajtur me këtë rast, kryeministri Rama e cilësoi marrëveshjen si një moment të rëndësishëm për të ardhmen e sigurisë dhe ekonomisë së vendit.

Rama theksoi se kjo nismë do të krijojë një ekselencë të përbashkët italo-shqiptare në industrinë e kantiereve detare, duke sjellë inovacion dhe teknologji të përparuar në vend.

Kryeministri theksoi se FA do të përfitojnë dy anijet e para që do të ndërtohen në Pashaliman dhe prodhimi i tyre do të vazhdojë më tej për eksport.

Kjo sipas tij, do ta çojë në shtatë numrin total të flotës tonë, që në terma të përcaktuara nga NATO është një numër optimal për sa i përket peshës dhe përgjegjësisë të Shqipërisë në Mesdhe.

“Bota e kantiereve po ndryshon dhe kjo marrëveshje kërkon që të përcaktojë pikërisht një vullnet dhe një vizion për të shoqëruar këtë ndryshim me diçka të re, diçka të veçantë, diçka speciale, e cila sigurisht do të krijojë një ekselencë italo-shqiptare këtu në territorin tonë dhe që do të shërbejë dhe në përgjithësi për botën e re të kantiereve për inovacionin e saj dhe për atë që ajo sjell”, u shpreh Rama.

Në këtë drejtim, Kryeministri theksoi se kjo marrëveshje është një lajm shumë i mirë për të rinjtë e Shkollës Industriale të Vlorës, të cilët do të jenë të parët që do të kontaktohen për të marrë pjesë në një rrugëtim formimi për t’u bërë pjesë e kësaj shoqërie të re ekselence.

“Ata do të jenë të shoqëruar në rrugën e tyre të formimit nga profesionistët e ‘Fincantieri’-t dhe do të arsimohen si në Itali, pikërisht aty ku ‘Fincantieri’ ka dhe shpirtin e saj, bazën e saj, por edhe në Shqipëri, në Pashaliman, ku ky shpirti i dytë themi do të marri jetë së shpejti”, shtoi Rama.

Sot, vijoi ai, kohët janë të ndryshme dhe kanë diktuar pikërisht këtë hap të “Fincantieri”-t drejt bregdetit tonë dhe drejt kësaj marrëveshjeje që është me të vërtetë një ëndërr për Shqipërinë dhe për Forcat tona të Armatosura, si dhe për ekonominë industriale të vendit.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër