Mitrovicë, 17 prill Zhurnal.mk – Prokuroria Speciale ka njoftuar se e ka ndaluar një person, nën dyshimin për përfshirje në sulmin terrorist të 24 shtatori 2023 në Banjskë të Zveçanit. Përderisa Prokuroria dha vetëm inicialet, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka thënë se bëhet fjalë për Stefan Raduloviqin, për të cilin tha se kërkohej.
Sipas njoftimit zyrtar nga Prokuroria Speciale, i dyshuari është arrestuar nga Policia në pikëkalimin kufitar në Merdar. Ai është ndaluar për 48 orë, me vendim të prokurorit. Sipas njoftimit, i arrestuari dyshohet për kryerjen e veprave penale: “kryerja e veprës terroriste” dhe “veprat e rënda kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës”.
“Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës do të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe Kodin e Procedurës Penale, duke garantuar njëkohësisht ruajtjen e integritetit të hetimeve në zhvillim”, thuhet në njoftim të Prokurorisë Speciale.
E ministri Sveçla ka thënë se “terroristët nuk kanë vend në vendin tonë e as nuk do të mund t’i ikin përgjegjësisë pafundësisht”.
“Sot, u arrestua edhe një terrorist i dyshuar, në kërkim, Stefan Raduloviq në lidhje me rastin e sulmit terrorist në Banjskë të Zveçanit me qëllim aneksimin e veriut. Koha e tolerancës ka përfunduar. Ata do të kapën kudo që hasën. Vazhdojmë pa ndalur për kushtetushmëri e ligjshmëri”, ka shkruar ai në Facebook.
